Një person ka mbetur i plagosur sonte nga të shtëna me armë zjarri në Skenderaj.
Rreth orës 21:04, Policia ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri në rrugën “28 Nëntori” në Skenderaj. Një person i moshës madhore ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka thënë se hetimet për rastin janë duke vazhduar.
“Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja, ndërsa njësitet policore po zhvillojnë hetime për identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar”, ka thënë ai.
Nga Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë kanë bërë të ditur se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë.
“Në orën 21:37, në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, është sjellë një i plagosur nga Skenderaj, 44 vjeç. Aktualisht ai është me parametra stabilë dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa po vazhdojnë ekzaminimet radiologjike dhe trajtimi mjekësor”, thuhet në përgjigjjen e spitalit.

