Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, ka njoftuar fitoren e listës së udhëhequr nga partia e tij në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH).
Përmes një njoftimi publik, Kamberi ka bërë të ditur se sipas rezultateve preliminare, lista e tyre ka siguruar mbështetjen më të madhe të votuesve në Luginën e Preshevës.
“DOLËM TË PARËT! Sipas rezultateve preliminare, lista nr. 3, e udhëhequr nga Enkel Rexhepi, mori 4.769 vota. Këto vota na japin 10 nga 29 mandatet në Këshillin Kombëtar Shqiptar”, ka shkruar Kamberi.
Lideri i PVD-së ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjithë votuesit.
“Faleminderit qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që dolën në votime dhe secilit që na dha besimin. Urime Enkelit dhe gjithë ekipit të Partisë për Veprim Demokratik dhe Aleancës për Luginën!”, deklaroi ai.
Kamberi ka paralajmëruar hapat e menjëhershëm që do të ndërmerren për funksionalizimin e institucionit më të lartë përfaqësues të shqiptarëve në Serbi, duke vënë theksin te prioritetet kombëtare si arsimi, kultura dhe gjuha shqipe.
“Do t’i nisim menjëherë bisedimet me listat e tjera për konstituimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar. Këshilli ka për detyrë t’i përfaqësojë të gjithë shqiptarët e Luginës dhe të punojë për shkollën e librin shqip, për kulturën tonë dhe për përdorimin e gjuhës shqipe në institucione. Me Besë e me Zemër!”, ka përfunduar Shaip Kamberi.

