Një djalë 11-muajsh është gjetur i gjallë në Karolinën e Jugut, pasi ishte varrosur në një kafaz qeni në pyll për 24 orë.
Sipas Policisë së Qarkut Lexington, Koa Sharp u gjet brenda një kafazi qeni, i cili ishte mbështjellë me një peshqir dhe i varrosur cekët në dhe, në një zonë të pyllëzuar.
“Zoti na ndihmoi . Pak minuta më parë gjetëm Koan e vogël, 11 muajshe, të varrosur për së gjalli, i kapur fort pas jetës, duke qarë – tingulli më i lumtur që keni dëgjuar ndonjëherë nga një foshnjë duke qarë”, tha Sherifi Jay Coon në një konferencë për shtyp.
Babai i foshnjës, Michael Comer, 25 vjeç, u arrestua të hënën në mbrëmje me dyshimin për vjedhje me thyerje, tha departamenti i sherifit. Departamenti i sherifit po punon me zyrën e prokurorit të distriktit për të ngritur akuza shtesë.
Sipas Koon, ka të ngjarë që moti i freskët dhe peshqiri me të cilin ishte mbështjellë kafazi i shpëtuan jetën fëmijës , “duke i siguruar atij ajër të mjaftueshëm për të mbijetuar, sipas vlerësimeve tona, për 24 orë nën tokë”.
“Shumë gjëra funksionuan në favor të Koas dhe Zoti u kujdes për të në 24 orët e fundit”, tha ai.
Koa u zhduk të hënën ndërsa ishte nën mbikëqyrjen e babait të tij, pasi nëna e tij ishte me punë, tha Koon.
Djali i vogël u raportua i zhdukur menjëherë pas kësaj dhe autoritetet nisën një operacion të madh kërkimi për ta gjetur atë, me pjesëmarrjen e të paktën 100 personave.
Një nga ekipet e kërkimit gjeti një vend në pyll ku toka dukej se ishte “trazuar së fundmi “, 45 metra larg shtëpisë së 25-vjeçarit të arrestuar.
“Kur filluan të gërmonin, mund të dëgjoje Koan e vogël duke qarë. Siç mund ta imagjinoni, ishte një garë me kohën, të gjithë ishin atje poshtë duke u përpjekur ta nxirrnin jashtë.”
Djali i vogël është shtruar në spital dhe “shpresojmë” që ai të shërohet, tha Koon.
“Duam t’i falënderojmë të gjithë dhe të festojmë sot faktin që një foshnjë 11-muajshe është gjallë.”
Burimi: Guardian, NBC

