Ambasada e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka përshëndetur nominimin e Mikhail Bogachek për të shërbyer si ambasadori i ardhshëm i SHBA-së në Kosovë.
Ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, i ka përcjellë urimet Bogachek, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm në forcimin e miqësisë së qëndrueshme dhe marrëdhënieve të veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Presim me padurim të punojmë së bashku për të forcuar më tej miqësinë tonë të qëndrueshme dhe marrëdhënien unike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, thuhet në mesazhin e ambasadës.
Nominimi i Bogachek vjen në kuadër të vazhdimit të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, të cilat kultivojnë marrëdhënie të ngushta politike dhe diplomatike.
Michael Bogachek aktualisht mban pozitën e drejtorit ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS), ku mbikëqyr operacionet administrative, financat, prokurimin, burimet njerëzore dhe teknologjinë informative, sipas një biografie të publikuar në faqen e organizatës.
OAS-i, i themeluar në vitin 1948, përfshin 35 shtete të kontinentit amerikan dhe ka për qëllim forcimin e demokracisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sigurinë dhe zhvillimin.
Sipas biografisë së tij, Bogachek ka mbi 25 vjet përvojë në sektorët e shëndetësisë, teknologjisë dhe menaxhimit institucional.
Më herët, ai ka qenë drejtor operativ në kompaninë VativoRx, e cila merret me administrimin e përfitimeve farmaceutike në SHBA.
Ai ka themeluar edhe kompaninë Cooperton, e specializuar në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave, si dhe kompaninë PharmaLife, që merret me teknologjinë në sektorin farmaceutik.
Bogachek ka diplomuar në Inxhinieri Industriale dhe të Sistemeve në Institutin e Teknologjisë të Xhorxhias dhe ka doktoraturë në Bioinxhinieri.
Ai ka përfunduar, gjithashtu, një program për drejtues biznesesh në Shkollën e Biznesit të Harvardit.
Flet rrjedhshëm gjuhën ruse, ukrainase dhe hebraike.
Nominimi për ambasador në Kosovë është pjesë e një liste më të gjerë emërimesh, të dërguar nga administrata Trump në Senat, më 10 nëntor.
Nominimi mes sfidave në marrëdhëniet Kosovë-SHBA
Nominimi i Bogachekut vjen në një periudhë kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë përballur me sfida, përfshirë pezullimin e Dialogut Strategjik nga Uashingtoni në vitin 2025.
SHBA-ja e pezulloi këtë dialog, duke shprehur shqetësime për veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë ndaj institucioneve serbe në Kosovë dhe kritikat e saj ndaj Gjykatës Kushtetuese, të cilat, sipas Uashingtonit, kishin rritur tensionet dhe kishin kufizuar mundësitë për bashkëpunim në prioritetet e përbashkëta.
Në korrik të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit i tha REL-it se rifillimi i Dialogut varet nga krijimi i kushteve të nevojshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve.
Më herët gjatë këtij viti, administrata Trump nominoi ambasadorë edhe për Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi.
Senati amerikan e konfirmoi Eric Wendtin si ambasador në Shqipëri më 7 gusht, ndërsa kandidatët për tri vendet e tjera ende janë në pritje të konfirmimit./ REL

