Wednesday, November 11, 2026
HomeLajmeDitë Zie Kombëtare për viktimat dhe të plagosurit në autostradën “Trakia”

Ditë Zie Kombëtare për viktimat dhe të plagosurit në autostradën “Trakia”

Më 11 nëntor, në Ditën e Zisë Kombëtare, nderojmë kujtimin e viktimave të dy aksidenteve të rënda zinxhir në autostradën “Trakia”, pranë Jambollit. Në shenjë nderimi për viktimat, flamujt kombëtarë në institucionet shtetërore janë ulur në gjysmështizë. U anuluan veprimtaritë zyrtare festive dhe argëtuese. Kryeministri Rumen Radev anuloi pjesëmarrjen e tij në Konferencën Botërore të OKB-së për Klimën, COP31, që po zhvillohet në Antalia të Turqisë. Pritet që qeveria të miratojë dëmshpërblime financiare për familjet e personave që humbën jetën në aksidentin zinxhir, bën të ditur Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).

Më 10 nëntor, pranë nyjës rrugore “Zimnica” në autostradë, humbën jetën 11 persona. 51 të plagosur u shtruan në spitale. Numri më i madh i tyre po merr trajtim në Slliven – 18 persona. Në Jamboll, 8 të plagosur vijojnë të jenë të shtruar në spital. Në Burgas po trajtohen 7 të plagosur. 13 persona ndodhen ende në gjendje të rëndë. Gjendja më kritike është ajo e një shtetasi rumun, i cili është shtruar në një spital në Burgas.

Autostrada “Trakia” u rihap për qarkullimin në të dyja drejtimet, në segmentin midis nyjave rrugore “Zimnica” dhe “Kabile”, ku u tërhoqën 86 automjetet e përfshira në përplasjen zinxhir. Guvernatori i rajonit të Jambollit, Georgi Çallëkov, paralajmëroi se në zonën e aksidentit është rikthyer mjegulla.

Mjegulla është një faktor që favorizon aksidentet, por ajo thjesht sjell ulje të dukshmërisë, njësoj si drejtimi i automjetit gjatë natës, deklaroi drejtori i Shërbimit Kombëtar të Hetimit, Marian Marinov. Ai bëri të ditur se, për shkak të natyrës së ndërlikuar të rastit, hetimi do të merret përsipër nga Shërbimi Kombëtar i Hetimit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram