Një nënë keniane që punon në Arabinë Saudite thuhet se është dënuar me 100 rrahje me kamzhik për lindjen e një fëmije jashtë martese , duke shkaktuar një reagim të fortë nga grupet e të drejtave të njeriut , të cilat e quajnë dënimin një akt dhune ndaj grave .
Sipas ligjit të sheriatit të Arabisë Saudite , seksi jashtëmartesor është një vepër penale , por grupet e të drejtave të njeriut thonë se gratë preken në mënyrë disproporcionale nga ky ligj .
Edhe pse shumë gra beqare në Arabinë Saudite kanë fëmijë, rasti i gruas keniane u bë publik vetëm sepse ajo u desh të dërgohej në spital . Spitalet në vend janë të detyruara të njoftojnë autoritetet kur një grua e pamartuar lind.
” Shumica lindin në shtëpi, prandaj raste të tilla nuk regjistrohen “, tha Ekaterina Porras Sivolobova , themeluese e organizatës jofitimprurëse Do Bold, e cila mbron të drejtat e punëtorëve migrantë në vendet e Gjirit.
Sivolombova tha gjithashtu se organizata e saj përballet me vështirësi më të mëdha në përpjekjen për të mbështetur nënat keniane krahasuar me gratë e kombësive të tjera. “Nuk kam qenë në gjendje të siguroj ndihmën e autoriteteve keniane për të mbështetur këto gra”, vuri në dukje ajo.
Esthers Wania Mouthoni punonte në Arabinë Saudite si ndihmëse shtëpiake , duke pastruar dhe kujdesur për fëmijët . Ajo kishte ardhur në vend nëpërmjet një agjencie rekrutimi dhe kishte mbetur shtatzënë pas një lidhjeje të shkurtër me një burrë egjiptian . Ajo tha se babai i fëmijës ishte larguar që atëherë nga vendi .
“Nuk e meritoj këtë”
Një hetim i Guardian në vitin 2024 zbuloi se disa nëna beqare në Kenia u braktisën nga baballarët e fëmijëve të tyre , të cilët kishin frikë se do të arrestoheshin për marrëdhënie jashtëmartesore . Pasi vendimi i gjykatës u dha muajin e kaluar, Muthoni i tha New York Times se kishte frikë se nuk do të ishte në gjendje t’i rezistonte 100 goditjeve me kamzhik . ” Nuk e meritoj këtë “, tha ajo.
Rasti vjen në një kohë kur një vizitë e planifikuar në Arabinë Saudite nga Reem Alsalem , raportuesja speciale e OKB-së për dhunën ndaj grave dhe vajzave , u shty javën e kaluar. Ajo tha se kishte ndërmend të ngrinte çështje specifike gjatë vizitës së saj. Ajo shtoi se nëse vizita nuk do të zhvillohej së shpejti, do të përpiqej t’i ngrinte çështjet përmes kanaleve të komunikimit në dispozicion të mandatit të saj.
Mariam Aldosari , drejtoreshë e përkohshme e organizatës britanike të të drejtave të njeriut ALQST, e quajti vendimin një akt dhune dhe argumentoi se gruaja duhej të ishte riatdhesuar në Kenia në vend që të ndëshkohej.
“Rasti ekspozon hipokrizinë që qëndron pas të ashtuquajturave reforma të Arabisë Saudite. Ne e dimë që Mohammed bin Salman po përpiqet t’i paraqesë bashkësisë ndërkombëtare një vend që po modernizohet dhe mbështet gratë. Megjithatë, ne shohim një gjykatë që dënon një nënë me 100 rrahje me kamzhik”, tha ajo, duke iu referuar princit të kurorës së Arabisë Saudite.
Me informacion nga Guardian

