Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, të premten kritikoi ashpër atë që e quajti “instrumentalizim i së drejtës ndërkombëtare”, duke e përshkruar atë si një armë të elitës dhe duke lëshuar një paralajmërim të ashpër për Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJPN).
Rubio e paralajmëroi GJND-në të mos “citojë ligje te njerëzit me shpata”, duke e akuzuar gjykatën e Hagës se po përpiqet të zbatojë rregulla që Uashingtoni nuk i njeh.Komentet e tij në Konventën Kombëtare të Shoqatës Federaliste të Avokatëve erdhën rreth një muaj pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksione të reja ndaj GJPN-së, duke u zotuar të paralizojnë operacionet e saj.
Gjykata ndjek penalisht individë të akuzuar për krimet më të rënda dhe vepron si mjeti i fundit kur vendet nuk kanë mekanizma të përshtatshëm ligjorë për të siguruar llogaridhënien.SHBA-të nënshkruan Statutin e Romës që themeloi GJPN-në, por nuk e kanë ratifikuar kurrë traktatin. Izraeli, Rusia dhe Kina gjithashtu nuk janë anëtarë të GJPN-së.
Fjalimi i Rubios në tubimin konservator, ku ai mori duartrokitje në këmbë nga publiku, shënon fjalimin e tij të parë të rëndësishëm në SHBA që nga humbja dërrmuese e Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit në fillim të këtij muaji.
Rubio tha të premten se e drejta ndërkombëtare është përdorur kundër “pothuajse çdo vendimi të rëndësishëm të politikës së jashtme” nga administrata Trump, nga sulmet ndaj anijeve në Karaibe deri te kapja e udhëheqësit venezuelian Nicolas Maduro .Ai argumentoi se ky ligj nuk është neutral, por shërben si një “instrument” me të cilin elita globale promovon interesat e veta.Një diplomat i lartë amerikan tha më parë se Uashingtoni do të ndalonte transaksionet me atë që ai e quajti një “gjykatë mashtruese”, duke intensifikuar një fushatë të gjatë nga administrata e Presidentit të SHBA-së Donald Trump kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Uashingtoni ka njoftuar se do ta shpërbëjë atë gjykatë, i indinjuar nga vendimi i gjyqtarëve për të lëshuar një urdhër arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për krime në Gaza.Rubio përsëriti kritikat e tij ndaj GJPN-së të premten, duke thënë se gjykata nuk i jep llogari askujt dhe “është e pajisur me autoritetin për të hetuar, ndjekur penalisht, persekutuar dhe burgosur qytetarët tanë, bazuar në ligje me të cilat nuk jemi pajtuar dhe mbi të cilat nuk kemi kontroll”.
Ai shtoi: “Nëse janë aq budallenj sa të përpiqen t’u imponojnë amerikanëve vendimet e tyre në letër, përgjigjja jonë ndoshta do të jetë e njëjtë me atë të gjeneralit romak Pompeut , drejtuar atyre që thirrën statutet e qytetit të tyre para legjioneve të tij.”
Pompeu u tha qytetarëve të Mesanës, Siçili, të cilët pretendonin se ligjet romake i përjashtonin nga juridiksioni i tij: “Ndaloni së cituari ligje njerëzve që mbajnë shpata”.
Fakti që Rubio i paraqiti pikëpamjet e tij në një takim ekspertësh ligjorë mund të nxisë spekulimet se planet e tij ambicioze shkojnë përtej sferës së politikës së jashtme.
Kandidatë të tjerë presidencialë kanë folur në atë konferencë në të kaluarën.Rubio përmendet shpesh si një pasardhës i mundshëm i Trump, megjithëse ai ka hedhur poshtë raportet se planifikon të largohet nga administrata për t’u përgatitur për një kandidim të vitit 2028.

