Xhovan Shyti
Ka një përqasje të çuditshme midis asaj që ndodhi në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste ditën e premte dhe të njohurës si “Konferenca e Tiranës”.
Për ata, që nuk e njohin këtë ngjarje të regjistruar në ditarin politik të Partisë së Punës të Shqipërisë (alias Komuniste), si “e lavdishme” , po sjellim në vëmendje se, “Konferenca e Tiranës”, u mbajt në muajin prill 1956 në sallën e kinema “Punëtori”.
Sipas historianëve të pavënë në shërbim të pushtetit, kjo konferencë vlerësohet si një nga ngjarjet më tragjike, më të errëta dhe më të debatuara në historinë e Partisë së Punës të Shqipërisë (ndryshimi i emrit nga Parti Komuniste (PK), në Partia e Punës së Shqipërisë (PPSH), u bë në Kongresin e parë të PKSH).
Po sipas të njëjtëve historianë, Konferenca e PPSH e Tiranës e vitit 1956 shënon episodin e fundit të kundërvënies së hapur ndaj lidershipit të Enver Hoxhës në krye të partisë.
Duke konsideruar analizën e 230 organizatave bazë të PPSH së Tiranës, konferenca solli në evidencë një problem strukturor të ushtrimit të pushtetit, të cilin e kritikoi dhe kërkoi ta korrigjonte. Sipas vlerësimit të historianit Marenglen Kasmi, në konferencën e PPSH së Tiranës të vitit 1956 u tentua moderimi i regjimit dhe jo ndryshimi i tij.
Në atë konferencë ndodhi shndërrimi paradigmatik i debatit në armiqësi, duke krijuar kategorinë e armikut të partisë dhe të popullit.
Kërkesat e paraqitura në këtë konferencë ishin me karakter ekonomik, por edhe politik, pasi përmbanin ndryshim të mënyrës së ushtrimit të pushtetit, kritikë ndaj diferencimit mes elitës dhe popullit, nepotizëm dhe kult të individit, pra të kultit të Enver Hoxhës. Situata e punimeve të Konferencës së PPSH të vitit 1956 ishte e nxehtë, shpërthyese, përshkruajnë kronikanët.
Vetëm dy muaj para saj ishte mbajtur Kongresi i XX-të i PK të Bashkimit Sovjetik, ku Nikita Krushovi denoncoi “kultin e individit” të Josif Stalinit. Të frymëzuar nga ky zhvillim, disa delegatë dhe organizata partie, shkuan në konferencë me pritshmëri për hapje, demokraci të brendshme dhe eliminim të kultit të individit.
Gjë që rezultoi zhgënjyese, pasi në vend të kulaçit konferenca e shpresave të mëdha anti-kult dhe demokratizuese, polli dajakun. Solli ndëshkimin e kritikëve, të cilët u cilësuan “armiq të partisë”. Dhjetëra prej tyre u arrestuan, u dënuan me burgime të rënda, u internuan e u goditën profesionalisht, duke i hapur rrugë forcimit përfundimtar të regjimit autoritar të Enver Hoxhës.
Tani le të kthehemi tek Asambleja socialiste e së premtes, që pati si arsye, sipas deklarimit zyrtar: reflektimin ndaj kërkesave të protestës masive 6-mujore, ku dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama, mbetet në krye të 5 pikave të panegociueshme.
Kjo ishte arsyeja e propaganduar, se në fakt, reflektimi i vërtetë në Asamble nuk iu përafrua asnjë prej kërkesave të protestuesve masivë 6 mujorë. Duke dashur të shmangë shpërthimin e ndonjë debati të brendshëm, që të përfshinte kultin e tij, hapjen e PS-së, rishikimin e politikave nepotike, diferencimin e elitës nga masa e gjerë e popullit socialist etj.
Edi Rama nxitoi të përdorte qysh në nisje kërbaçin ndaj Elisa Spiropalit, Plarent Ndrecës dhe Erion Veliajt. Në hapje të konferencës Edi Rama kërkoi që pjesa e parë e mbledhjes dhe fjala e tij të mbaheshin me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave.
Përgatitja për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, organizimi i strukturave të partisë dhe mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve për bashkitë e vendit, qenë tyli i dekorit që shoqëroi punimet disa orëshe të Asamblesë socialiste, të mbajtur këtë herë në kompleksin “Mövenpick” të Gjirit të Lalëzit.
Ku i vetmi zë gramafoni që u ndje ishte ai i Edi Ramës, i cili me fshikullimin e kërbaçit ndaj kundërshtarëve, njëjtë si në konferencën e PPSH të Tiranës së vitit 1956, ja doli ta linte në fuqi vijuese kultin e tij, mos-hapjen demokratizuese të partisë, mos-rishikimin e politikave qeverisëse etj., problemeve që po e shpien drejt greminës “rilindjen” e tij.
Injorimi i pesë kërkesave të panegociueshme të protestave masive, që të premten shënuan ditën e 168 të mbajtjes, ku dorëheqja e tij nga posti i kryeministrit është mbizotëruese, as u përmendën fare. Ndërkohë që politika e kërbaçit ndaj kundërshtarëve funksionoi me plot sukses duke mbajtur nën zap pjesën dërrmuese të rreth dyqind pjesëmarrësve.
Nën emrin e spastrimit të çdo elementi opozitar brenda radhëve të partisë, në konferencën e Tiranës të vitit 1956 dora e rëndë e Enver Hoxhës lëshoi topuzin ndëshkues mbi dhjetëra pjesëmarrës oponentë.
Në Asamblenë e PS-së së të premtes topuzi i Ramës ra mbi kokat e vetëm tre “rilindasve”. Pasi gjithë të tjerët heshtën nga frika e mospësimit të të njëjtit fat ndëshkues. Gjë që, sikurse Konferenca e Tiranës e vitit 1956 për Enver Hoxhën, edhe asambleja e Gjirit të Lalëzit 2026 do të shërbejë për të konsoliduar edhe më shumë pushtetin absolut të Edi Ramës, duke mbyllur përfundimisht çdo mundësi për lëvizje reformatore apo të ngjashme./ CNA

