Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka tërhequr nga tregu një seri të qumështit VITA UHT 3.2% yndyrë, pasi analizat laboratorike të kryera në Austri dhe Kosovë kanë konfirmuar praninë e aflatoksinës M1 mbi nivelin maksimal të lejuar. AUV u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e konsumojnë këtë seri të qumështit dhe ta kthejnë produktin në pikën e shitjes ku e kanë blerë.
Sipas njoftimit të AUV-së, bëhet fjalë për qumështin VITA UHT 3.2% yndyrë, të prodhuar nga kompania ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA), në paketim prej një litri, me datë prodhimi 18.07.2026 dhe afat përdorimi 18.01.2027.
“AUV u bën thirrje qytetarëve që të mos konsumojnë këtë seri të qumështit VITA UHT 3.2% dhe ta kthejnë produktin në pikën e shitjes ku e kanë blerë”, thuhet në njoftim.
AUV ka sqaruar se masa e tërheqjes nga tregu zbatohet vetëm për serinë e identifikuar, ndërsa seritë dhe produktet e tjera të të njëjtit prodhues nuk janë objekt i kësaj mase.
Sipas Agjencisë, konfirmimi më i fundit është bërë nga Instituti për Sigurinë e Ushqimit në Linz, në kuadër të Agjencisë Austriake për Shëndetësi dhe Siguri Ushqimore (AGES).
Raporti ka konstatuar përqendrim të aflatoksinës M1 prej 0.065 µg/kg, kundrejt nivelit maksimal të lejuar prej 0.050 µg/kg. AUV thotë se ky rezultat është në përputhje me analizat e Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, i cili kishte konstatuar tejkalim të nivelit të lejuar në tri mostra të qumështit VITA 3.2%.
“Bazuar në këto dispozita ligjore dhe rezultatet laboratorike, AUV ka urdhëruar bllokimin dhe tërheqjen nga tregu të serisë së identifikuar”, thuhet në njoftim.
Sipas AUV-së, operatori është i detyruar të ndalojë shitjen dhe shpërndarjen, të sigurojë tërheqjen e produktit nga pikat e shitjes dhe të dokumentojë sasitë e tërhequra.
Agjencia ka rikujtuar se ky rast vjen pas konstatimeve të mëparshme laboratorike në Maqedoninë e Veriut, ku dy analiza të produktit LAND Milk UHT 3.2%, të prodhuar nga i njëjti operator, kishin evidentuar përqendrime të aflatoksinës M1 prej 0.100 dhe 0.139 ± 0.022 µg/kg, mbi nivelin maksimal të lejuar.
AUV ka paralajmëruar se do të zgjerojë kontrollet në seri të tjera të prodhimit, duke përfshirë qumështin e papërpunuar, gjurmueshmërinë e furnizimit, sistemin e vetëkontrollit të operatorit dhe ushqimin e kafshëve, me qëllim identifikimin e burimit të mundshëm të kontaminimit.
“Aflatoksina M1 është një substancë toksike që mund të kalojë në qumësht përmes ushqimit të kontaminuar të kafshëve. Ekspozimi afatgjatë ndaj saj mund të paraqesë rrezik për shëndetin e konsumatorëve”, thekson AUV.
Agjencia ka bërë të ditur se gjatë periudhës gusht–nëntor 2026 ka realizuar kontrolle inspektuese dhe analiza laboratorike të qumështit të prodhuar në Kosovë dhe atij të importuar.
Sipas AUV-së, me përjashtim të rasteve dhe serive të identifikuara, mostrat e tjera të analizuara kanë qenë brenda nivelit maksimal të lejuar të aflatoksinës M1.
AUV ka njoftuar se do të vazhdojë kontrollet në të gjithë zinxhirin ushqimor dhe se masat e mëtejshme administrative dhe ligjore ndaj operatorit do të përcaktohen pas përfundimit të verifikimeve, bazuar në rezultatet laboratorike dhe legjislacionin në fuqi.

