Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Nura, kanë kundërshtuar Gjykatën Speciale gjatë diskutimeve në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe angazhim më të madh institucional e diplomatik për proceset që po zhvillohen në Hagë.
Në kuadër të deklarimeve të grupeve parlamentare jashtë rendit të ditës, Nagavci është ndalur te vizita e fundit e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, në shtëpinë e tij në Prishtinë, ku ai takoi bashkëshorten, gjendja shëndetësore e së cilës është e rënduar.
Ajo i ka cilësuar pamjet nga ky takim si të rënda për t’u parë, duke thënë se ato rikujtuan se pas çdo procesi gjyqësor qëndrojnë njerëz dhe familje që përballen me mungesën e më të dashurve të tyre.
“Pas gjashtë vjetësh në Hagë, ai u kthye në Kosovë për të takuar bashkëshorten e tij, gjendja shëndetësore e së cilës është e rënduar. Ky takim familjar u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, nën mbikëqyrje dhe me kohë të kufizuar nga Gjykata Speciale”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka rikujtuar se Jakup Krasniqi ishte pjesë e rezistencës kundër regjimit serb, gjatë luftës shërbeu si zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përfaqësues politik i saj, ndërsa pas luftës vazhdoi angazhimin në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, duke shërbyer si deputet dhe kryetar i Kuvendit.
Nagavci më pas është ndalur te vendimi i Kuvendit të Kosovës i 3 gushtit 2015, kur u votuan ndryshimet kushtetuese që mundësuan themelimin e Dhomave të Specializuara.
Ajo ka rikujtuar se këto ndryshime morën 82 vota për, pesë kundër dhe një abstenim, ndërsa po atë ditë u miratua edhe ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas saj, pas më shumë se një dekade, është e nevojshme të vlerësohen pasojat politike dhe historike të këtij vendimi, por edhe ndikimi i tij në jetën e familjeve të personave që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.
“Ne e kemi kundërshtuar Gjykatën Speciale dhe duhet ta themi edhe sot: votimi për themelimin e saj ishte gabim. Gabim që po ia shohim pasojat edhe sot”, ka deklaruar ajo.
Shefja e Grupit Parlamentar e Vetëvendosjes e ka cilësuar të padrejtë aktgjykimin ndaj Jakup Krasniqit, të shpallur më 16 tetor 2026, duke shprehur shqetësime për përfundimet e tij dhe ndikimin që procesi mund të ketë në interpretimin dhe dokumentimin e luftës çlirimtare.
Ajo ka theksuar se Kuvendi duhet të kërkojë drejtësi të plotë, dinjitet dhe respektim të të drejtave të njeriut për qytetarët e Kosovës, veçanërisht për ata që e kanë mbajtur mbi supe barrën e lirisë së vendit.
“Vendimet që merren këtu nuk janë thjesht procedurale dhe as vendime të çastit. Një vendim mund të merret brenda pak minutash, por pasojat e tij mund të zgjasin me dekada”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka shtuar se vendimet politike të Kuvendit ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e vendit dhe në mënyrën se si dokumentohet e trajtohet historia e Kosovës.
Nura kërkon unitet dhe mobilizim institucional dhe diplomatik për Gjykatën Speciale
Ndërkaq, në emër të grupit parlamentar të PDK-së, deputeti Jakup Nura ka kërkuar mobilizim institucional dhe angazhim të vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës lidhur me proceset që po zhvillohen në Gjykatën Speciale.
Nura ka thënë se Kosovës, në dekadën e tretë të lirisë, iu imponua një gjykatë për gjykimin e saj dhe të krenarisë së saj, në vend që përgjegjësia për luftërat në ish-Jugosllavi të përqendrohej te Serbia.
Ai ka kërkuar që institucionet e vendit ta kenë këtë çështje ndër prioritetet kryesore dhe që ajo të mos mbetet vetëm temë e deklaratave publike.
Në veçanti, Nura ka kërkuar angazhim më të madh të Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me diplomacinë shqiptare.
“Diplomacia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me diplomacinë shqiptare, duhet të jetë shumë më aktive, t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë diplomatike dhe të punojë vazhdimisht në informimin e partnerëve ndërkombëtarë për rëndësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj çështjeje”, ka deklaruar Nura.
Sipas tij, proceset në Hagë nuk janë vetëm çështje e individëve që po përballen me procedurat gjyqësore, por prekin edhe historinë e Kosovës, luftën çlirimtare, dinjitetin dhe shtetin e Kosovës.
Ai ka kërkuar që institucionet të mos mjaftohen me reagime të herëpashershme, por të ndërtojnë një qasje të koordinuar dhe të vazhdueshme.
“Nuk duhet të jemi indiferentë dhe as të kënaqemi vetëm me reagime të herëpashershme. Duhet unitet dhe bashkim institucional, përgjegjësi politike dhe angazhim i mirëfilltë diplomatik. Kjo është një çështje që kërkon përkushtim përtej dallimeve politike, sepse mbi të gjitha kemi përgjegjësi ndaj vendit tonë, historisë dhe së vërtetës”, ka thënë ai.
Nura ka vlerësuar se Kosova duhet të jetë e pranishme në çdo hapësirë ku mund të kontribuohet për të vërtetën dhe të drejtën e saj, duke kërkuar që partnerët ndërkombëtarë të informohen për ndjeshmërinë e kësaj çështjeje.
Duke folur për vizitën e Jakup Krasniqit në Prishtinë, ai ka thënë se pamjet nga përcjellja e tij nën masa të rrepta sigurie duhet të nxisin një angazhim më serioz për trajtimin e çështjes së personave që po mbahen në Hagë.
Në fund, deputeti i PDK-së u ka bërë thirrje edhe përfaqësuesve të lobit shqiptar që të angazhohen me kontaktet e tyre dhe partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që çështja e Gjykatës Speciale të trajtohet në vazhdimësi.
“E shfrytëzoj rastin që t’i bëj ftesë gjithë lobit shqiptar që të angazhohet kudo që është, me miqtë e tyre dhe anasjelltas, që çështja e gjykatës të trajtohet me miqtë tanë dhe ta kenë parasysh që Kosova të dalë faqebardhë nga ky proces”, ka përfunduar Nura.
Lushaku ngre shqetësimin për Lojërat Mesdhetare 2030, Tahiri kritikon Qeverinë për krizën energjetike
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka ngritur shqetësimin për rrezikun që Kosova të mos organizojë Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’, ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë për situatën me furnizimin me energji elektrike.
Gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës, Lushaku ka thënë se papërgjegjësia institucionale po rrezikon realizimin e një projekti të rëndësishëm për vendin.
Ajo ka bërë të ditur se takimi që ishte paraparë të mbahej në Athinë, ku do të diskutoheshin dhe definoheshin përgjegjësitë për organizimin e Lojërave Mesdhetare, është anuluar.
Sipas saj, edhe Komiteti Olimpik i Kosovës ka ngritur shqetësime për mos përmbushjen e obligimeve nga institucionet e vendit.
Lushaku ka vlerësuar se organizimi i Lojërave Mesdhetare do të ishte një mundësi e rëndësishme për zhvillimin e sportit, turizmit dhe ekonomisë së Kosovës.
“Është koha për të folur sepse, për papërgjegjësitë institucionale, Kosova është duke rrezikuar që të mos organizojë këto lojëra”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka theksuar se projekti do të mundësonte investime në salla sportive, stadiume dhe qendra të reja sportive, të cilat, sipas saj, i mungojnë Kosovës.
Lushaku ka përmendur edhe mundësitë ekonomike që do të sillte organizimi i këtij aktiviteti, përfshirë investimet kapitale, zhvillimin e hotelerisë dhe përfitimet për bizneset vendore.
Ajo ka kritikuar mungesën e qartësisë rreth përgjegjësive institucionale për përmbushjen e kritereve të nevojshme.
“Për ne është tepër e rëndësishme që të rinjve tanë të mos ua humbin këtë mundësi, por as shtetit tonë, as bumit ekonomik që Kosova mund ta kishte në vitin 2030, as hoteleve, as bizneseve e as investimeve kapitale që do të mund të vinin nga ky projekt”, ka thënë Lushaku.
Ajo u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve që të angazhohen për realizimin e projektit dhe të mos lejojnë humbjen e kësaj mundësie.
Tahiri: Kosova është në terr, Qeveria ta ndryshojë strategjinë energjetike
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka adresuar problemet me furnizimin me energji elektrike, duke e cilësuar krizën energjetike si një nga çështjet më problematike në vend.
Ai ka thënë se ndërprerjet e energjisë elektrike për orë të tëra, fillimisht në vendbanimet rurale e më pas edhe në Prishtinë dhe qytete të tjera, po ua vështirësojnë jetën qytetarëve.
Sipas Tahirit, kjo situatë po rëndon veçanërisht familjet me gjendje të vështirë ekonomike, të cilat përballen me vështirësi për të përballuar shpenzimet e energjisë elektrike.
“Për gjithë ne që jetojmë në Kosovë, jemi duke e parë që vendin tonë të dashur, e ka mbuluar terri. Mungesa e energjisë elektrike me orë të tëra, kryesisht në lokacione dhe vendbanime rurale, mirëpo mbrëmë edhe në kryeqytet dhe në qytete të tjera, realisht është duke e vështirësuar jetën e qytetarit të Kosovës në maksimum”, ka thënë Tahiri.
Ai ka kërkuar nga kryeministri që të formojë një ekip qeveritar për rishikimin e strategjisë energjetike 2022–2031 dhe të planit të investimeve në këtë sektor.
Tahiri ka argumentuar se zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe rritja e çmimeve kërkojnë ndryshimin e qasjes së Qeverisë ndaj burimeve energjetike.
Në këtë drejtim, ai ka kërkuar investime në rehabilitimin e kapaciteteve ekzistuese të Korporatës Energjetike të Kosovës, përfshirë termocentralet Kosova A dhe Kosova B.
Ai ka përmendur mundësinë e rehabilitimit të njësive A3, A4 dhe A5 të Kosovës A, për të cilat ka thënë se do të mund të siguronin 540 megavatë kapacitet shtesë, me investim prej 370 deri në 400 milionë euro.
“Pse Kosova, që po ke thënë vetë se po fle mbi thëngjill, pse s’po e renovon Kosovën A – A3-shin, A4-shin, A5-shin – prej të cilëve do t’i fitonim 540 MW me vetëm 370 deri në 400 milionë euro?”, ka pyetur Tahiri.
Ai ka kërkuar gjithashtu rehabilitimin e Kosovës B dhe vazhdimin e investimeve në burimet alternative të energjisë, duke përmendur kapacitetet e planifikuara prej 1.600 megavatësh nga energjia solare dhe ajo e erës.
Tahiri ka theksuar se edhe gazi amerikan mund të jetë një burim shtesë energjetik dhe një mundësi për bashkëpunim strategjik, por sipas tij, ai nuk e zgjidh i vetëm problemin e furnizimit me energji elektrike.
Në fund, ai i ka kërkuar kryeministrit që të hartojë një plan të ri për zhvillimin energjetik të Kosovës për periudhën 2027–2037, duke shfrytëzuar kapacitetet ekzistuese dhe duke investuar në burime të ndryshme të energjisë.
Nis seanca e re plenare e Kuvendit të Kosovës |Live
Ka nisur seanca e re plenare e Kuvendit të Kosovës, në të cilën janë paraparë për shqyrtim disa projektligje dhe çështje të tjera parlamentare.
Ndër pikat kryesore të rendit të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Efiçiencë të Energjisë.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, ndërsa pritet të procedohen edhe nismat legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi.
Në rend dite është edhe zgjedhja e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet joshumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Seanca përfshin edhe propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

