Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se është dakorduar me kryeministrin Albin Kurti që javën e ardhshme të vazhdojnë me iniciativën e re ligjore për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një konferencë për media, Çitaku tha se projektligji do të bazohet në tekstin që Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar në dy lexime në tetor, ndërsa do të bëhen ndryshimet e nevojshme për ta bërë atë më të qëndrueshëm juridikisht.
Ajo bëri të ditur se pajtimi me Kurtin është arritur për përmbajtjen e ligjit dhe ndryshimet që duhet të bëhen, ndërsa dallimet e mëhershme kanë qenë lidhur me procedurën parlamentare.
Çitaku kërkoi falje për vonesat dhe paqartësitë gjatë këtij procesi, duke thënë se e kupton shqetësimin e atyre që kanë dyshuar se iniciativa mund të mbetej përgjysmë.
“Ju jap zotimin tim se këtë proces do ta çojmë deri në fund. Projektligjin do ta hartojmë dhe do ta sjellim në Kuvend për votim më të plotë, më të qëndrueshëm juridikisht, më të zbatueshëm praktikisht”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se paralelisht, grupi punues shtetëror do të vazhdojë punën për hartimin e strategjisë së mbrojtjes në apel.
Çitaku theksoi rëndësinë e unitetit politik për këtë çështje, duke kërkuar që mbështetja për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë të dëshmohet përmes veprimeve konkrete në Kuvend.
Ajo ka thënë se kanë pasur diskutime me diplomatë e përfaqësues të BE-së që të kontribuojnë në Kuvend, ndërkaq për Specialen ka thënë se nuk negociojnë për këtë çështje, pasi sipas saj ata kanë devijuar nga mandati të cilin e kanë marrë.
“Ne kemi pasur diskutime me diplomatë dhe me përfaqësues të BE-së, të cilët edhe sot i ftoj të bëhen pjesë e diskutimeve. Jo vetëm ata, por të gjitha palët e interesuara, që dëshirojnë të kontribuojnë në këtë proces. Me Gjykatën Speciale nuk negociojmë për këtë çështje. Ajo është organ i themeluar nga Kuvendi, institucion që ka devijuar në plotni nga mandati që deputetët i kanë dhënë në Kuvend dhe që ka rezultuar me dy aktgjykime të turpshme, të kurdisura dhe të pabazuara në faktet e ofruara në sallën e gjykimit”, ka thënë ajo.

