Thursday, November 19, 2026
HomeLajmeKosovëRashiq ironizon Listën Serbe: Më vjen mirë që po merrni pjesë në...

Rashiq ironizon Listën Serbe: Më vjen mirë që po merrni pjesë në punën e Kuvendit

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka ironizuar me pjesëmarrjen e deputetëve të Listës Serbe në seancën e Kuvendit, gjatë debatit për Projektligjin për Buxhetin e vitit 2027.

Duke iu përgjigjur shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili kritikoi projektbuxhetin për mungesë të investimeve në komunat me shumicë serbe, Rashiq tha se nuk kishte besuar se do të ndodhte që edhe Lista Serbe të merrte pjesë në punën e Kuvendit.

“Nuk e besoja se kjo mund të ndodhte, por edhe Lista Serbe po merr pjesë në punë, nëse mund ta quash kështu. Edhe nëse është e kundërta, ka momente të rralla kur mund të jem pak krenar për ju. E ky është një prej tyre”, tha Rashiq.

Gjatë debatit në Kuvend, Simiq e cilësoi projektbuxhetin si “monoetnik”, duke pretenduar se në dhjetë komunat me shumicë serbe nuk është paraparë asnjë projekt kapital i dedikuar për këto komuna.

Ai tha se nga afro 4.3 miliardë eurot e parapara për institucionet dhe rreth një miliard euro investime kapitale, komunat me shumicë serbe janë lënë jashtë projekteve zhvillimore.

Simiq kërkoi investime në infrastrukturën rrugore, ujësjellës, shëndetësi dhe projekte të tjera, duke përmendur edhe nevojën për ndërtimin e unazës rreth Graçanicës. Ai paralajmëroi se Lista Serbe do të votojë kundër projektbuxhetit.

Ministri më pas iu përgjigj pretendimeve të Simiqit, duke deklaruar se gjatë tre vjetëve e gjysmë deri në katër vjetët e fundit janë investuar rreth 17 milionë euro.

Ai tha se gjatë 18 muajve të fundit janë ndërtuar 160 shtëpi, ndërsa përmendi edhe 80 shtëpi të tjera të ndërtuara në vitet paraprake.

Rashiq përmendi gjithashtu rreth 1.100 projekte të realizuara, përfshirë renovimin e shtëpive, ndarjen e traktorëve dhe makinerive bujqësore, si dhe mbështetjen për biznese të vogla.

Ai akuzoi Listën Serbe për presion ndaj qytetarëve serbë dhe largimin e tyre nga institucionet e Kosovës, duke pretenduar se disa punonjës ishin larguar nga puna për shkak të mbështetjes së shprehur në rrjetet sociale për subjektin e tij politik.

Rashiq bëri të ditur se u ka dërguar kryetarëve të komunave ftesë për aplikim për projekte infrastrukturore, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me ta.

Ndërkaq, deputetja e Grupit Parlamentar Multietnik, Emilija Rexhepi, deklaroi se në parim e mbështesin Projektligjin për Buxhetin e vitit 2027, por kërkoi investime më të barabarta, përfundimin e projekteve infrastrukturore dhe zbatimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë në punësim dhe përdorimin e gjuhëve zyrtare.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram