Friday, November 20, 2026
HomeLajmeKosovëMusmurati kërkon llogaridhënie për `bllokimin e projektit për blerjen e 100 kamionëve`

Musmurati kërkon llogaridhënie për `bllokimin e projektit për blerjen e 100 kamionëve`

Nënkryetarja e Kryeqytetit, Besianë Musmurati, u është drejtuar me letra zyrtare deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar angazhimin e tyre për zhbllokimin e projektit prej 74.1 milionë eurosh për modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Prishtinës.

Në një konferencë për media, Musmurati bëri të ditur se projekti, i përgatitur në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW), parasheh blerjen e rreth 100 kamionëve të rinj dhe 10 mijë kontejnerëve, si dhe ndërtimin e një qendre për riciklimin dhe kompostimin e mbeturinave.

Ajo tha se për këtë projekt është punuar që nga viti 2023, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, KRM “Pastrimi”, Ministrinë e Financave dhe KfW-në, ndërsa Qeveria e Kosovës e kishte miratuar në parim nismën për marrëveshjen e kredisë më 18 dhjetor 2024.

Megjithatë, sipas Musmuratit, projekti ende nuk është finalizuar për shkak të mosnënshkrimit të marrëveshjes nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Nuk po flasim për një ide që duhet të nisë nga zero. Po flasim për një projekt të përgatitur dhe të dakorduar mes palëve, i cili vazhdon të mbetet pa nënshkrimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati”, deklaroi Musmurati.

Ajo e cilësoi mosnënshkrimin si bllokadë të motivuar politikisht, duke thënë se pasojat po i bartin qytetarët e Prishtinës.

Përmes letrave, Komuna u kërkon deputetëve që të përdorin mekanizmat parlamentarë për të kërkuar sqarime nga Ministria e Financave lidhur me arsyet e mosnënshkrimit të marrëveshjes dhe të angazhohen për tejkalimin e kësaj situate.

Letrave u janë bashkëngjitur tri dokumente: dokumentacioni i KfW-së për projektin dhe financimin, vendimi i Qeverisë i 18 dhjetorit 2024 për miratimin në parim të nismës për marrëveshjen e kredisë, si dhe letra e përbashkët e Komunës së Prishtinës, KRM “Pastrimi” dhe KfW-së, e dërguar në Ministrinë e Financave më 15 maj 2026.

Në fund, Musmurati kërkoi nga Ministria e Financave përgjigje për arsyet e mosnënshkrimit të marrëveshjes dhe hapat konkretë për realizimin e investimit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram