Saturday, November 21, 2026
HomeLajmeKosovëMjekët e papunë protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë, kërkojnë mundësi punësimi

Mjekët e papunë protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë, kërkojnë mundësi punësimi

Me mantela të bardhë dhe me kërkesë për më shumë mundësi punësimi, profesionistë shëndetësorë, mjekë të diplomuar të papunë dhe studentë të mjekësisë protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë.

Ata kundërshtuan mungesën e perspektivës profesionale, pritjet e gjata për punësim dhe, siç thanë, mungesën e dialogut me institucionet përgjegjëse.

Përfaqësuesi i protestuesve, Besfort Racaj, tha se nga viti 2021 deri në vitin 2026, Kosovën e kanë lëshuar 650 mjekë, ndërsa 534 doktorë dhe qindra stomatologë e infermierë vazhdojnë të jenë pa punë.

Protestuesit kërkuan konkurse të rregullta dhe transparente për punësim e specializime, ndryshim të kritereve të vlerësimit, si dhe pagesë për stazhin gjashtëmujor.

Në mbështetje të tyre ishte edhe deputetja dhe profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Albena Reshitaj. Ajo kërkoi dialog me institucionet dhe zgjidhje konkrete, duke theksuar se mjekët e rinj nuk kërkojnë privilegje, por mundësi të barabarta për punësim dhe zhvillim profesional.

Reshitaj paralajmëroi se mungesa e perspektivës po i shtyn të rinjtë ta shohin emigrimin si alternativë.

Ndërkaq, Racaj njoftoi se protesta do të vazhdojë edhe nesër, nga ora 10:00 në sheshin “Skënderbeu”, ku mjekët e diplomuar të papunë do të ofrojnë shërbime mjekësore falas për qytetarët.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram