Saturday, November 21, 2026
HomeLajmeKosovëFSK-së i dhurohet roboti i parë tokësor pa ekuipazh i prodhuar në...

FSK-së i dhurohet roboti i parë tokësor pa ekuipazh i prodhuar në Kosovë

Ministrisë së Mbrojtjes i është dhuruar roboti tokësor pa ekuipazh (UGV), i prodhuar nga kompania kosovare-amerikane STRIDAR, për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se ky është roboti i parë i këtij lloji i prodhuar në Kosovë.

Roboti ka numrin serik SR-4-001-KS, ndërsa Maqedonci e ka cilësuar këtë donacion si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes.

“UGV-të janë mjete robotike pa operator. Ato mund të kontrollohen nga distanca ose të kryejnë detyra të caktuara në mënyrë autonome. Varësisht nga modeli dhe konfigurimi, mund të përdoren për vëzhgim, transport pajisjesh dhe mbështetje në zona me rrezik; mund të pajisen edhe me sisteme armatimi të kontrolluara nga distanca”, ka shkruar ministri.

Maqedonci ka bërë të ditur se marrëveshjen për donacionin e ka nënshkruar së bashku me përfaqësuesin e kompanisë STRIDAR, Nils Alstad.

Ai ka falënderuar kompaninë për kontributin dhe angazhimin në zhvillimin e kapaciteteve vendore, duke vlerësuar se teknologjitë e tilla mund të përdoren si për nevojat e mbrojtjes, ashtu edhe për ato civile.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram