Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një mbledhje të përbashkët me drejtuesit e Qendrave të saj në Kosovë, ku është diskutuar për situatën aktuale politike në vend, zhvillimet e fundit dhe procesin e zgjedhjeve të brendshme.
Sipas njoftimit të Vetëvendosjes, në takim kanë marrë pjesë kryetari i Lëvizjes, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sekretari organizativ, Alim Rama, kryetarja e organizatës Gratë për Vetëvendosje, njëherësh kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe koordinatori i Rinisë për Vetëvendosje, Libron Kelmendi.
“Në këtë takim diskutuam për situatën aktuale politike në vend, zhvillimet e fundit dhe çështjet organizative të Lëvizjes sonë, me theks të veçantë për procesin e zgjedhjeve të brendshme, të shpallura më 1 nëntor me vendim të Këshillit të Përgjithshëm”, thuhet në njoftim.
Vetëvendosje ka bërë të ditur se procesi zgjedhor, i cili duhet të përmbyllet brenda gjashtë muajve, tashmë ka hyrë në fazën e përgatitjeve intensive.
“Qendrat tona janë duke hartuar kalendarët zgjedhorë, duke përditësuar listat e anëtarësisë dhe duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për një proces gjithëpërfshirës, demokratik dhe të mirë organizuar”, thuhet më tej.
Sipas kësaj partie, zgjedhjet e brendshme nuk janë vetëm një proces formal i rifreskimit të strukturave, por edhe një mundësi për fuqizimin e organizatës, përfshirjen e gjeneratave të reja dhe profesionistëve, si dhe zgjerimin e pjesëmarrjes aktive në jetën politike e organizative.
“Përmes një pune dinamike dhe angazhimi të përditshëm, ky proces do të shtrihet nëpër lagjet e fshatrat e komunave gjithandej Kosovës, duke e thelluar lidhjen ndërmjet organizatës sonë dhe qytetarëve”, thekson Vetëvendosje.
Në fund, kjo parti ka theksuar se strukturat e saj mbeten të angazhuara në proceset e brendshme organizative, si dhe në adresimin e nevojave dhe përmirësimin e jetës së komuniteteve.

