Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me ministrin e Arsimit, Hajrulla Çeku, kanë vizituar sot shkollën fillore “Ismail Qemali”, në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Gjatë vizitës, Haxhiu dhe Çeku orën e parë të mësimit e kaluan me nxënësit, me të cilët bashkëbiseduan për respektin dhe barazinë mes vajzave dhe djemve.
Haxhiu ka thënë se me nxënësit diskutuan për mënyrën e sjelljes ndaj njëri-tjetrit, kujdesin dhe rëndësinë që askush të mos lëndohet, as me fjalë e as me vepra.
Ajo u tha nxënësve se për çdo shqetësim mund t’u drejtohen pa frikë mësimdhënësve dhe prindërve.
“Respekti për tjetrin mësohet që herët. Institucionet kanë detyrim ta mbrojnë të drejtën e secilit për të jetuar pa dhunë, ndërsa shkolla e bën këtë respekt pjesë të përditshmërisë së fëmijëve”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se një shoqëri pa dhunë është përgjegjësi e të gjithëve dhe se kjo nis pikërisht në klasë.

