Thursday, November 26, 2026
HomeLajmeKosovë“Femicidi është urgjencë kombëtare”, protestohet në Prishtinë

“Femicidi është urgjencë kombëtare”, protestohet në Prishtinë

Femicidi të njihet si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës, ndërsa të krijohet edhe një mekanizëm për monitorimin dhe analizimin e rasteve të vrasjes së grave. Këto janë kërkesat kryesore të Rrjetit të Grave të Kosovës, të shprehura në protestën e mbajtur në Prishtinë, me moton “Femicidi është urgjencë kombëtare”.

Rrjeti i Grave të Kosovës konsideron se femicidi është urgjencë kombëtare. Aktivistja Zana Hoxha tha se njohja e femicidit si vepër e veçantë penale do të mundësonte që vrasjet e grave për motive gjinore të trajtoheshin në kontekstin e duhur ligjor dhe hetimor.

“Kur një grua vritet për shkak të gjinisë së saj, ligji duhet me e emërtuar atë vrasje si femicid. E hetimi duhet me u kthyer te krejt çka i ka paraprirë asaj vrasjeje. A ka pasur dhunë? A ka kërcënuar dikush? Kosova duhet me e krijuar mekanizmin që në botë njihet si ‘Femicide Watch’”, tha Zana Hoxha, aktiviste.

Ndërkaq, përfaqësuesja e Rrjetit të Grave, Besarta Breznica, në emër të 108 organizatave anëtare, kërkoi që institucionet ta trajtojnë femicidin me urgjencën dhe seriozitetin e duhur. Ajo u ndal veçanërisht te vrasja e Arlinda Zekajt, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për mënyrën se si ishte trajtuar kërkesa e saj e përsëritur për mbrojtje.

“Vrasja e Arlinda Zekajt, pas raportimeve dhe kërkesave të saj të përsëritura për mbrojtje, na detyron të kërkojmë përgjegjësi për mënyrën se si institucionet reagojnë kur gratë kërkojnë ndihmë. Na detyron të kërkojmë përgjigje për mundësitë e humbura për ndërhyrje dhe për veprimet që institucionet kanë ndërmarrë apo nuk kanë ndërmarrë për ta mbrojtur jetën e saj”, tha Besarta Breznica, përfaqësuese e Rrjetit të Grave të Kosovës.

Në protestë morën pjesë edhe qytetarë, të cilët shprehën solidaritet me aktivistet dhe kërkesat e tyre.

“Duhet të shkojmë e të kërkojmë të drejta të plota të grave. Se gratë këtu nuk i kanë të drejtat e plota. Ka diskriminime të mëdha të grave, sidomos ato të cilat janë për lindje, po i qesin prej kompanisë. Ai është diskriminim. Nuk e di, ajo kompani, me u bë ky diskriminim në shtetet demokratike, ata e humbin të drejtën e ekzistimit të kompanisë”, tha Fadil Presheva, qytetar.

Protesta, që u organizua në shënim të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe shënoi fillimin e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, nisi në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe përfundoi para ndërtesës së Qeverisë, ku aktivistet paraqitën kërkesat e tyre drejtuar institucioneve.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram