Thursday, November 26, 2026
HomeLajmeMoti në Shqipëri me erëra të forta, ndalohet lundrimi i mjeteve...

Moti në Shqipëri me erëra të forta, ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla në Vlorë

ATSH/ Kushtet hidrometeorologjike në gjirin e Vlorës dhe në det të hapur pritet të përkeqësohen përgjatë datave 25-26 nëntor, për shkak të forcimit të erës dhe rritjes së lartësisë së dallgëve.

Sipas parashikimit meteorologjik duke filluar nga ora 15:00 e datës 25 nëntor pritet të fryjë erë nga drejtimi jug-juglindje, me forcë 6-7 ballë dhe shpejtësi 15-20 m/s, ndërsa lartësia e dallgëve parashikohet të arrijë nga 1,5 deri në 2,5 metra.

Në këto kushte, Kapiteneria e Portit të Vlorës ka ndaluar pajisjen me leje nisjeje të mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit që operojnë në det të hapur, deri në orën 20:00 të datës 26 nëntor.

Gjithashtu Kapiteneria kërkon bashkëpunimin e të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për marrjen e masave të nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve, me qëllim shmangien e rreziqeve dhe situatave emergjente.

Ndërkohë, anijet që transportojnë mallra dhe hidrokarbure do të vijojnë të operojnë normalisht, sipas destinacioneve përkatëse.

Për shkak të kushteve të përkeqësuara të motit në det, janë anuluar edhe lundrimet e trageteve të transportit ndërkombëtar të pasagjerëve dhe automjeteve në linjën Vlorë-Brindisi-Vlorë.

Sipas parashikimeve, përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 22:00 të datës 26 nëntor.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram