Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria nuk u imponon fëmijëve tema apo qëndrime të caktuara, duke iu përgjigjur deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, lidhur me çështjet e gjinisë dhe orientimit seksual në shkolla.
“Ne dëshirojmë që fëmijët të jenë të edukuar, të jenë të informuar me vlerat tona edhe tradicionale, të gjuhës e të kulturës sonë, por në anën tjetër edhe me trendet bashkëkohore, duke i mbrojtur fëmijët nga cenimet dhe rreziqet e ndryshme që mund t’u vijnë. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë ofertash apo imponimesh fëmijëve, siç jemi akuzuar”, tha Kurti.
Ai rikujtoi se për çështjen e doracakut kishte dhënë sqarime përmes një videoadresimi më 17 nëntor 2024, duke thënë se nuk kishte asgjë të re për të shtuar.
Kurti, ndërkaq, foli edhe për të arriturat e Qeverisë në arsim. Ai përmendi arsimin publik pa pagesë për mbi 173 mijë studentë në nivelet bachelor dhe master, si dhe ndarjen e 18 mijë bursave në vlerë prej 20 milionë eurosh.
Sipas tij, rreth 40 për qind e bursave janë ndarë për fushat STEM, ndërsa 90 për qind e përfituesve në këto fusha janë gra dhe vajza.
Kurti përmendi edhe rritjen për 33 për qind të numrit të fëmijëve në çerdhe, shtimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta dhe bursat për nxënësit nga komunitetet.
Në fund, ai kritikoi deputetin Rrahmani për rikthimin, siç tha, të vazhdueshëm të së njëjtës temë, duke shtuar se çështjet e ngritura tashmë janë adresuar.

