Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka takuar presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, në kuadër të takimit të liderëve të Procesit Brdo–Brijuni, që po mbahet në Ohër.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit Shiroka Pula ka theksuar se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i palëkundur dhe se vendi është plotësisht i përkushtuar ndaj agjendës evropiane.
Ajo ka nënvizuar rëndësinë që procesi i integrimit në Bashkimin Evropian të bazohet në merita dhe të vlerësojë progresin dhe reformat e secilit vend.
Presidentja ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik dhe synim kryesor në fushën e sigurisë.
Shiroka Pula ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës, veçanërisht për përkrahjen e anëtarësimit të vendit në Këshillin e Evropës.
Në takim është diskutuar edhe për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare.
Sipas Presidencës, Shiroka Pula ka vlerësuar rëndësinë e Procesit Brdo–Brijuni, të iniciuar nga Sllovenia dhe Kroacia, në mbështetje të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

