Thursday, May 7, 2026
HomeLajmeKosovëMashtrohet në emër të transplantimit të veshkës 

Mashtrohet në emër të transplantimit të veshkës 

Një skemë e rëndë mashtrimi dyshohet se ka ndodhur ndaj një polici hetues të Kosovës, i gjendur para problemeve të rënda shëndetësore. Polici hetues ishte mashtruar nga Valmir Hajrullahu, një recidivist nga Komuna e Lipjanit, i cili sipas Prokurorisë dyshohet se e ka lajthitur policin hetues duke i premtuar se do t’ia bënin transplantin e veshkës në një spital të Turqisë.

Duke u paraqitur si doktor kardiolog, Valmir Hajrullahu, bashkë me dy persona tjerë, Avdyl Kryeziun nga Malisheva dhe shtetasin turk Yilmaz Tassoker, sipas Kallëzimit Penal të Policisë së Kosovës nga viti 2021 kishin filluar mashtrimin kundrejt zyrtarit policor A.B., që ishte në dializë.

“Na prej aty kemi vazhduar për interesimin për të shkuar në Turqi, të njoftohemi me Valmirin, ka thënë është një prej doktorëve më të mirë, e njoh familjarisht, e kam shok. Ne kemi vazhduar, në këtë mënyrë kemi shkuar për Turqi, mbi pesë herë kemi qenë atje,” ka deklaruar vëllai i viktimës.

Shtetasi turk, Tassoker, ishte paraqitur si dhurues i veshkës, derisa transplantimi do të kryhej në një spital në Turqi. Për këtë, polici A.B. kishte paguar rreth 135 mijë euro, si dhe i ishte ekspozuar rrezikut serioz për jetën.

Fitim Malokaj, avokati i viktimës A.B., thotë se klientin e tij në vizitën e fundit, kur ai filloi të dyshojë se ishte pre e mashtrimeve, përmes një terapie mjekësore deshën ta eliminonin.

“Është rrezikuar jeta duke u transportuar një person i cili ka qenë në atë kohë me dializë, dhe është transportuar me aeroplan. Disa herë ka kryer dializë edhe në Turqi, sepse i ka pasur të caktuara ditët kur ta bëjë dializën. Por, tek rasti i atij ilaçi që iu ka dhënë, aty ka pasur me u cilësuar edhe vepra penale e vrasjes në tentativë,” tha Fitim Malokaj, avokat.

Oda e Mjekëve të Kosovës ka thënë se në regjistrat e saj nuk ka asnjë person të licencuar si mjek me emrin Valmir Hajrullahu. Derisa në Prokurorinë e Pejës thonë se Hajrullahu për një kohë ishte në arrati derisa është dorëzuar.

“Pasi që është paraqitur në stacionin policor, me urdhër të prokurorit i njëjti është ndaluar për 48 orë për veprën penale mashtrimi, për shkak se dyshohet se ka mashtruar një viktimë, kinse për ta ndihmuar për transplant të veshkës në një spital të Turqisë, ndërkaq e gjitha ka qenë një skemë mashtrimi,” tha Shkodran Nikçi.

RTK ka tentuar të kontaktojë me Hajrullahun, i cili gjendet në masën e arrestit shtëpiak. Mirëpo, ai nuk iu është përgjigjur asnjë thirrjeje dhe as mesazhi të ekipit hulumtues. As avokati i Avdyl Kryeziut nuk ka pranuar të takojë ekipin për të dhënë versionin në lidhje me pretendimet kundrejt klientit të tij.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram