Edward P. Joseph, ish-zyrtar amerikan dhe njohës i çështjeve të Ballkanit, e përshkruan situatën politike në Kosovë si “katastrofë” dhe “krizë artificiale”.
Ai ne nje bisede per RTK thekson se dështimi i kryeministrit Albin Kurti për të përmbushur detyrat kushtetuese ka krijuar kaos institucional, i cili jo vetëm që dobëson proceset demokratike dhe reformuese, por edhe rrit ndikimin e Serbisë dhe vështirëson marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.
“Kam një fjalë për të përshkruar situatën aktuale në Kosovë. Katastrofë! Siç e kam thënë, është një krizë politike artificiale. Pse përdor fjalën artificiale? Sepse mund të ketë kriza politike që janë natyrore, kur vetë elektorati është i ndarë – kur votuesit janë të ndarë dhe japin një rezultat shumë të ngushtë zgjedhor, dhe atëherë bëhet shumë e vështirë të formohet një qeveri. Kjo ka ndodhur edhe në Evropë, për shembull në Belgjikë, ku një herë u vendos rekord për vonesën në formimin e qeverisë. Por në Kosovë nuk e kemi këtë situatë. Ka pasur një rezultat të qartë zgjedhor dhe ai i ka dhënë përgjegjësinë kryeministrit Albin Kurti që të udhëheqë proceset për ta themeluar plotësisht qeverinë e Kosovës, dhe kjo përfshin edhe kërkesën kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. Dhe kryeministri Kurti ka dështuar plotësisht në përmbushjen e kësaj përgjegjësie. Prandaj kjo është një krizë politike artificiale, dhe është katastrofike, që do të thotë se ka pasoja serioze si brenda vendit – për shkak të kaosit institucional dhe vakuumit që mund të krijohet shumë shpejt, varësisht nga përgjigjja që do të japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës – ashtu edhe jashtë vendit. Është katastrofike për një vend si Kosova, që ka një fqinj armiqësor si Serbia, që ka çështje të pazgjidhura dhe një nivel të lartë ankthi te popullsia serbe e Kosovës, dhe që ende mbetet i panjohur nga shumë vende të botës, përfshirë katër vende në NATO dhe pesë në Unionin Evropian. Pra, kjo është një krizë artificiale dhe një krizë që Kosova nuk mund ta përballojë”. tha ai.
Me tej ai u ndal edhe te dialogu me Serbine duke alarmuar se nje krize e tille mund te reflektoje negativisht per vendin.
“ Shikoni, kush përfiton nga kaosi politik në Kosovë? Serbia përfiton. Ky është një përfitim i qartë. Dhe ndodh pikërisht në një moment kur duhet të jetë Kosova që tregon se ka një rend politik të qëndrueshëm, ndërsa Serbia është përballë trazirave të brendshme me protesta të vazhdueshme dhe shtypje të gazetarëve dhe figurave opozitare, që vazhdojnë nga protestat që filluan mbi një vit më parë. Kjo është një humbje e madhe për Kosovën. Ajo i jep fitore Beogradit, që mund të thotë: “Shikoni këtë kaos, këtë të ashtuquajtur, siç e quajnë në Beograd, Kosovë të ashtuquajtur.” Kjo krijon mundësinë për Serbinë që të vazhdojë me konceptin e saj se kjo është një Kosovë e ashtuquajtur, që nuk është një shtet i vërtetë, që nuk funksionon dhe që abuzon me të drejtat e serbëve. Sigurisht, kjo rrit ankthin e madh dhe legjitim të serbëve të Kosovës, të cilët janë në një pozicion shumë të cenueshëm dhe nën qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti nuk janë këshilluar plotësisht dhe në mënyrë adekuate. Kjo provohet edhe nga qëndrimi i ish-ambasadorit amerikan, një mik i madh i Kosovës. Pra, kjo është thjesht katastrofike për pozicionin e Kosovës ndaj Serbisë dhe një dhuratë për Aleksandar Vuçiq”.

