Edhe kjo festë i ka gjetur qytetarët me çmime të larta të shportës me produkte elementare, por jo vetëm. Qytetarët ankohen se në prag të festave, çmimet e produkteve janë rritur dukshëm. Me këtë rast, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në prag të Festës së Bajramit, ka ndërmarrë një aksion të gjerë inspektimesh në tërë territorin e Kosovës.
Artikujt më të nevojshëm për përgatitjet e tryezës festive, si mielli, vaji, sheqeri dhe mishi, shpesh po pësojnë shtrenjtim pikërisht në momentet kur kërkesa rritet.
Në prag të festës së Bajramit, një periudhë kur bëhet thirrje për solidaritet, qytetarët përballen me një realitet tjetër shqetësues, siç është rritja e çmimeve të produkteve bazë.
“Qytetarët ankohen se në prag të festave, çmimet e produkteve bazë rriten dukshëm, duke i bërë shpenzimet festive edhe më të papërballueshme.
“Nuk janë reale, sepse po e shfrytëzojnë momentin për festa për t’i manipuluar. Nuk ka kontroll”, thotë qytetari.
“Është e vërtetë që çmimet janë luhatur në masë të madhe, sidomos gjatë festave. Po bëhet një ndryshim shumë i madh, i cili nuk është i mirë për qytetarët. Do të ishte mirë që çmimet të ulen e jo të rriten, sidomos kur ka sasi të mjaftueshme dhe njerëzit furnizohen”, thotë një qytetar tjetër.
Edhe nga Shoqata “Konsumatori” shprehin shqetësime për ngritjen e çmimeve.
“Kërkesa kemi shumë, por thelbësorja është që Qeveria ta konsolidojë tregun. Ne ende kemi treg të mirëfilltë dhe mungesa e tij vërehet, dëshmohet në faktin që nuk kemi rregullator të çmimeve dhe as për furnizime”, tha Selatin Kaçaniku, kryetar i shoqatës “Konsumatori”.
Nga ana tjetër, tregtarët, shumica prej tyre prapa kamerave, e arsyetojnë rritjen e çmimeve me rritjen e kërkesës, kostot e furnizimit dhe varësinë nga importi. Lidhur me shqetësimet e konsumatorëve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, ka zhvilluar aksione me qëllim të verifikimit të çmimeve, kontrollin e flamujve të origjinës së produkteve, si dhe saktësinë e deklaracioneve të vendosura për konsumatorët, me qëllim garantimin e transparencës në treg dhe sigurimin e një mjedisi të drejtë dhe të besueshëm për qytetarët.

