Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të bashkëluftëtarit Faruk Isufi nga Klina.
Në ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në fshatin Bokshiq të Klinës, Faruk Isufi mbeti viktimë e të shtënave me armë zjarri, pas një fjalosje me vëllanë e tij.
“I hidhur lajmi për ndarjen nga jeta të bashkëluftëtarit Faruk Isufi nga Klina. Edhe më i rëndë fakti se pas gjithë sakrificës për liri dhe angazhimit të tij në shtetndërtim, u nda nga jeta në rrethana të trishta”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka bërë të ditur se Faruku ishte aktivist i hershëm i Aleancës, për të cilin tha se ishte i përkushtuar dhe i respektuar nga të gjithë ata që patën rastin ta njohin nga afër.
Ai shprehu ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, bashkëluftëtarëve dhe kolegëve të Faruk Isufit në AAK.

