Ish-drejtori i Byrosë Federale të Hetimit (FBI) dhe ish-këshilltar special për hetimin e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, Robert S. Mueller III, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur familja e tij, duke kërkuar respektimin e privatësisë.
“Me hidhërim të thellë ndajmë lajmin se Bob është ndarë nga jeta të premten në mbrëmje”, thuhet në deklaratën e familjes.
Mueller u emërua drejtor i FBI-së nga ish-presidenti republikan George W. Bush vetëm një javë para sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Gjatë mandatit të tij, FBI-ja pësoi një transformim të thellë, duke rritur numrin e agjentëve të specializuar dhe duke konsoliduar funksionet e kundërterrorizmit dhe inteligjencës.
Pas përfundimit të karrierës në FBI, Mueller u rikthye në vëmendje ndërkombëtare si këshilltar special për hetimin e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, gjatë së cilave Donald Trump u bë president për herë të parë. Trump kishte një marrëdhënie tensionuese me Mueller dhe e kishte cilësuar hetimin e tij si një “gënjeshtër”.
Pas lajmit për ndarjen nga jeta të Mueller, presidenti Trump reagoi në platformën e tij sociale Truth Social me një koment të ashpër:
“Robert Mueller sapo vdiq. Mirë, jam i lumtur që ai është ndarë nga jeta. Ai nuk mund të dëmtojë më njerëz të pafajshëm!”
Komentet e Trump shkaktuan reagime të shumta në opinionin publik. Figura të tjera politike në Uashington e kujtuan Mueller me respekt.
Deputeti demokrat Dan Goldman shkroi:
“Ne vajtojmë ndarjen nga jeta të Robert Mueller, një shërbyesi të vërtetë publik: veteran i Vietnamit, prokuror federal, drejtor i FBI dhe këshilltar special i paanshëm. Mueller dhe Trump përfaqësojnë të kundërtat e asaj që duhet të jetë një shërbyes publik. U prehtë në paqe drejtori Mueller”.
Mueller mbahet mend si një nga figurat kryesore të drejtësisë amerikane, i njohur për integritetin, përkushtimin ndaj ligjit dhe rolin e tij vendimtar në mbrojtjen e sigurisë kombëtare.

