Punimet në rrugën A, e cila e lidh lagjet “Mati 1” dhe “Emshir” patën filluar në muajin prill të vitit 2023.
Në atë kohë drejtori i Shërbimeve Kapitale, Krenar Xhaferi, pati premtuar se kjo rrugë do të përfundonte deri në fund të 2023-ës.
“Punimet në 1.5 kilometra do të përfundojnë gjatë këtij viti dhe nesër do të fillojnë zyrtarisht punimet”, kishte thënë atëherë Xhaferi.
I njëjti zyrtar, një vit më vonë prapë premtoi se brenda vitit 2024 do të përfundojë ky projekt.
“Deri në fund te vitit do ta kemi një rrugë komplet me dalje nga veterrniku deri te vazhdimi i rrugës B dhe ky është komplet një segment jashtëzakonisht i rëndësishëm për Prishtinën”, kishte thënë atëherë ai.
Në muajin prill 2026 u mbushën tre vjet që kur kanë filluar punimet e para dhe kjo rrugë ende nuk është përfunduar.
Inxhinieri i komunikacionit rrugor, Visar Baxhaku, thotë se në kushte normale ky projekt do të duhej të përfundonte për 1 vit.
“Ky projekt nuk do të duhej t’i kalonte 12 muaj po flas për planifikimet e të gjitha segmenteve me të cilat karakterizohet, por në praktik kësaj rruge ju ka ndërrua edhe pushteti edhe drejtorët dhe është stërzgjat si projekt. Nuk është zbatua fizibiluteti se si ndikon te banorët dhe institucionet ne këtu e kemi edhe QKUKnë, ku është një fluks dhe aty është parapa vetëm një kyçje formale që nuk i plotëson kriteret.
Ndërkohë, në lidhje me ecurinë e punës dhe se kur pritet të përfundojë ky projekt, nuk janë deklaruar zyrtarët e Komunës së Prishtinës. Ata janë arsyetuar se ende nuk janë emëruar drejtorët e departamenteve.

