Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka bërë homazhe tek memoriali i martirëve në Tërrnje të Suharekës, të vrarë nga forcat serbe më 25 mars, 27 vjet më parë.
“Në të njëjtën ditë, në disa fshatra të vendit tonë, u përsërit i njëjti skenar i krimit shtetëror dhe gjenocidit. Në Celinë, Fortesë, Goden, Randobravë dhe Tërrnje u vranë afër 200 civilë të pafajshëm, gra, fëmijë dhe pleq të pambrojtur. Familje të tëra u shuan, shtëpitë u dogjën dhe fshatrat u zbrazën nga jeta. Këto krime ishin të organizuara dhe të udhëhequra nga aparati shtetëror serb, si pjesë e një plani të gjerë për spastrimin etnik dhe shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë”, shkroi ajo.
Kryekuvendarja ka treguar se atje ka takuar edhe të mbijetuarin e vetëm të masakrës, Bekim Gashin.
“Bekimi ndau dhimbjen e tij për nënën dhe katër motrat që i janë vrarë dhe më pas trupat u janë zhdukur, por edhe na rrëfeu se si për vite me radhë ka ndjekur procese gjyqësore në Beograd dhe ka marrë pjesë në disa zhvarrime por pa ndonjë rezultat”, shkroi Haxhiu.
Haxhiu thotë se kurrë nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi.
“Ne ndajmë dhimbjen me familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre dhe me familjet që ende nuk i kanë gjetur trupat e të afërmve të zhdukur me dhunë. Ne kurrë nuk do të harrojmë dhe kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për ta”, ka shkruar kryetarja e Kuvendnit, Albulena Haxhiu.

