Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka lobuar për bashkëpunime parlamentare e kulturore në kuadër të vizitave në Panama.
“Ndërkaq, në takimin me Kryetaren e Komisionit për Politikë të Jashtme, znj.Walkiria Chandler D’Orcy, u diskutua për avancimin e bashkëpunimit parlamentar. Në këtë drejtim, u theksua se shumë shpejt do të themelohet Grupit i Miqësisë, Kosovë–Panama ndërmjet dy parlamenteve, si një mekanizëm konkret për forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale”, thuhet në komunikatë për media.
Në takimin me zëvendësministren e Tregtisë së Jashtme, Astrid Àbreg Gonzalez, u bisedua për inicimin e marrëveshjeve për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve dhe për eliminimin e tatimit të dyfishtë. Gjithashtu u diskutua për bashkëpunim në teknologji të informacionit dhe ndarje përvojash nga bizneset panamaze në fushën e logjistikës dhe tregtisë.
Ahmeti ka takuar gjithashtu ministren e Kulturës, María Eugenia Herrera, me të cilën ka diskutuar për përfshirjen e Baletit Kombëtar të Kosovës në aktivitete në këtë vend.
“Zëvendësministri Ahmeti, takoi Ministren e Kulturës, znj.María Eugenia Herrera, ku u diskutua për mundësinë e bashkëpunimit kulturor ndërmjet dy vendeve. Në këtë kuadër, u trajtua edhe pjesëmarrja e Baletit Kombëtar të Kosovës në aktivitete kulturore në Panama, si dhe u theksua rëndësia e shkëmbimit të përvojave dhe bashkëpunimit në fushën e kinematografisë”, thuhet në komunikatën për media.



