Thursday, May 7, 2026
HomeLajmeKosovëOperacioni “Delivery”, katër të arrestuar për drogë dhe krime kibernetike

Operacioni “Delivery”, katër të arrestuar për drogë dhe krime kibernetike

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, ka finalizuar operacionin policor anti-drogë të koduar “Delivery”, duke arrestuar katër persona të dyshuar për shpërndarje të drogës dhe një person tjetër për krime kibernetike.

Operacioni u zhvillua më 25 mars, kur në dalje të autostradës në Veternik janë lokalizuar dy të dyshuar duke lëvizur me një veturë. Ata, sipas policisë, tentuan të largoheshin me shpejtësi, por u ndaluan nga policia në hyrje të Vushtrrisë.

“Gjatë kontrollit të automjetit u sekuestruan sasi të marihuanës dhe gjatë ndjekjes u gjet edhe një paketim tjetër me drogë”.

Sipas policisë, gjatë bastisjes së mëtejshme në katër lokacione në Prishtinë janë sekuestruar edhe marihuanë, dy peshore digjitale, para të gatshme, dy vetura dhe telefona celularë. Në kontrollin e një automjeti tjetër, policia ka gjetur edhe 25 qese me substancë të dyshuar kokainë.

Në një nga lokacionet e bastisura, policia njofton se është zbuluar edhe një hapësirë e modifikuar si “Call Center”, ku janë konfiskuar pesë laptopë, ndërkohë që një person është ndaluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike lidhur me veprat penale përkatëse.

“Në njërën nga lokacionet e bastisura është zbuluar një hapësirë e modifikuar si “Call Center”, ku janë sekuestruar pesë laptopë. Lidhur me këtë, në vendngjarje kanë intervenuar edhe njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, të cilat do të vazhdojnë hetimet në drejtim të veprave penale përkatëse sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku në proces është ndaluar edhe një person tjetër duke quar në pesë (5) numrin e personave të arrestuar gjatë këtij operacioni”, thuhet në njoftim.

Të dyshuarit janë shoqëruar në polici dhe me urdhër të Prokurorit Kujdestar janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë. Hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente.

Policia e Kosovës thekson angazhimin e saj të vazhdueshëm në luftën kundër narkotikëve dhe krimeve të tjera, për sigurimin e qytetarëve.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram