Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, çdo vendim për zgjedhjen e Presidentit duhet të bëhet përmes një marrëveshjeje politike që garanton unitet institucional dhe balancë demokratike.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se Grupi Parlamentar i saj ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë mbi rrjedhën institucionale pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në komunikatë, LDK vlerëson se “Aktgjykimi ka sjellë qartësi të nevojshme juridike dhe ka rikthyer procesin në kornizën kushtetuese, duke përcaktuar rrugën që institucionet duhet të ndjekin në vijim”, thuhet në komunikatë.
Më tej, LDK riafirmon qëndrimin për respektim të rendit kushtetues, funksionim normal të institucioneve dhe ruajtje të balancës demokratike, duke theksuar se “çdo veprim politik në këtë fazë duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia shtetërore dhe jo nga kalkulimet partiake”, thuhet në komunikatë.
Sipas LDK-së, zgjidhja duhet të garantojë unitet institucional, përfaqësim gjithëpërfshirës dhe shmang çdo tendencë për përqendrim të pushtetit në një dorë të vetme”, ndërsa theksohet se Institucioni i Presidentit duhet të jetë figurë unifikuese, mbi palët politike, dhe në shërbim të rendit kushtetues dhe stabilitetit të Republikës.
“Siç ka theksuar vazhdimisht Lidhja Demokratike e Kosovës, çështja e zgjedhjes së Presidentit nuk mund të zgjidhet përmes improvizimeve procedurale, por vetëm përmes një marrëveshjeje të mirëfilltë politike, që siguron unitet institucional dhe balancë demokratike. Në mungesë të një marrëveshjeje të tillë, çdo tentativë tjetër është e destinuar të dështojë”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, LDK thekson se përgjegjësia për ndërtimin e kësaj marrëveshjeje dhe për menaxhimin e këtij procesi i takon partisë së parë”, duke shtuar se çdo dështim për të arritur një zgjidhje do të bartë drejtpërdrejt përgjegjësinë politike për pasojat që pasojnë, përfshirë edhe shkuarjen në zgjedhje.
Në fund, LDK shprehet se në rast të dështimit dhe shkuarjes në zgjedhje. “Lidhja Demokratike e Kosovës do të garojë e bashkuar, e qartë në vizion dhe e gatshme për besimin qytetar”, thuhet në komunikatë.

