Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi, ka pritur në takim Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Gerard McGurk, me të cilin ka diskutuar për avancimin e bashkëpunimit institucional dhe forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit.
Sipas njoftimit, Gashi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së, duke e cilësuar këtë mision si partner strategjik në ndërtimin e një sistemi prokurorial funksional, të pavarur dhe të paanshëm, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ai theksoi se OSBE-ja ka kontribuar drejtpërdrejt në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe integritetit institucional të prokurorëve përmes trajnimeve të specializuara, asistencës teknike dhe mbështetjes në fusha kyçe, si hetimet penale, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Gashi e njoftoi ambasadorin McGurk edhe për zhvillimet aktuale institucionale dhe proceset reformuese në kuadër të KPK-së, përfshirë masat për rritjen e transparencës, forcimin e llogaridhënies dhe avancimin e besimit publik në institucionet e drejtësisë.
Në takim u diskutua edhe për prioritetet strategjike të sistemit prokurorial, me theks në ofrimin e ekspertizës juridike, trajnimeve të specializuara, këshillimit profesional dhe asistencës teknike nga OSBE-ja në hartimin dhe harmonizimin e legjislacionit vendor me standardet ndërkombëtare.
Nga ana e tij, ambasadori McGurk vlerësoi progresin e arritur dhe shprehu gatishmërinë e OSBE-së për të vazhduar dhe intensifikuar bashkëpunimin me KPK-në, me fokus në identifikimin e sfidave dhe adresimin e tyre përmes iniciativave dhe projekteve të përbashkëta.
Në fund, palët u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit, veçanërisht në forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, avancimin e kapaciteteve hetimore dhe analitike, si dhe përmirësimin e koordinimit në sistemin prokurorial.

