Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në përkujtimin e masakrës së Lubeniqit tha se ky vend përjetoi tri masakra të rënda, të parën më 25 maj 1998, dhe dy të tjera më 1 dhe 7 prill 1999.
“Më 1 prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit, njësitë paramilitare serbe, nën drejtimin e grupit “Çakejt”, rrethuan fshatin dhe më pas hynë në brendësi të tij. Aty grumbulluan civilët e paarmatosur dhe shtinë mbi ta me mitraloz. Pas kësaj, nga afër ekzekutuan me armë zjarri ata që mbijetuan, ndërsa disa prej viktimave madje edhe i dogjën”, tha Haxhiu.
Kryepralamentarja ka rikujtuar se shumë prej viktimave, të moshave të ndryshme, u gjetën më vonë në varrezën masive në Batajnicë, në periferi të Beogradit.
“Ne jemi këtu për ta kujtuar këtë krim të shtetit serb, për të nderuar kujtimin e civilëve të vrarë dhe për të ritheksuar se nuk harrojmë sakrificën tonë dhe rrugëtimin drejt lirisë. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve!”, shkroi Haxhiu, në përkujtim të përvjetorit të kësaj masakre të kryer nga forcat serbe 27 vjet më parë.

