Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për mospërfshirjen në ndarjen e rrogës së 13-të nga Qeveria e Kosovës. Ata theksojnë se, edhe pse kontribuojnë çdo ditë në funksionimin e vendit, janë lënë jashtë nga ky përfitim social.
Në një reagim të publikuar në faqen e Sindikatës së re të punëtorëve të KEK-ut, punëtorët kërkojnë të kuptojnë arsyet pse janë përjashtuar dhe nënvizojnë rëndësinë e trajtimit të barabartë për të gjithë qytetarët që kontribuojnë në funksionimin e shtetit.
Ata, përmes këtij reagimi kanë thënë:
“Edhe ne jemi Kosovë. Qeveria e Kosovës ka ndarë pagën e 13-të për sektorin publik. Por, Kryeministër – pse u lanë jashtë punëtorët e KEK-ut? Edhe ne jemi KOSOVË! Ne jemi ata që çdo ditë punojmë pa u ndalur, në kushte të rënda, mes rrezikut dhe sakrificës, për të mbajtur dritën ndezur në çdo shtëpi të këtij vendi. Ne nuk jemi thjesht punëtorë – ne jemi shtylla që e mban Kosovën funksionale. Ne kemi familje. Kemi fëmijë në shkolla. Kemi prindër të sëmurë. Kemi halle dhe sfida si çdo qytetar tjetër. Por, pavarësisht gjithçkaje, ne nuk ndalemi kurrë. Punëtorët e KEK-ut janë ndër kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit, duke gjeneruar miliona euro çdo vit. E sot, padrejtësisht, po lihemi anash. Kjo nuk është vetëm çështje page. Kjo është çështje DINJITETI. Kjo është çështje RESPEKTI për punën dhe sakrificën tonë. Kryeministër, edhe ne jemi KOSOVË! Mos na ndani – na trajtoni me barazi!”
Ata tutje kanë deklaruar se kërkojnë që paga e 13-të të përfshijë edhe punëtorët e KEK-ut, pa asnjë dallim. Po ashtu, kanë ftuar të gjitha mediat që të jenë të pranishme në konferencën për shtyp që do të mbahet më 2 prill 2026, në ora 12:00, para Qeverisë së Kosovës.

