Deputeti i LDK-së, njëherësh kryetar i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku gjatë adresimit të tij në seancën e Kuvendit ku po shqyrtohet propozim-Rezoluta lidhur me rritjen e çmimeve të naftës dhe mungesa e ndërhyrjes së Qeverisë, ka thënë se të vetmit që po fitojnë nga kriza e naftës janë bizneset.
Ai tha se ministri i Financave, Hekuran Murati akuzoi LDK-në se kanë ftuar këtë seancë për t’i mbrojtur bizneset, ndërkohë që sipas tij, për 4-5 vjet qeverisje të Lëvizjes Vetëvendosje, të vetmit që janë duke fituar nga kriza e naftës janë bizneset.
“Dhe a e dini pse? Sepse kjo qeveri, prapa meje, ua garanton këtë fitim. Luftërat nisin, përfundojnë, rinisin dhe sërish përfundojnë. Por një gjë, në terminologjinë e Vetëvendosjes, mbetet konstante: fitimi i garantuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për bizneset e Kosovës”, tha Abdixhiku.
Ai tha se në këto rrethana, nuk janë këtu për të mbrojtur diçka që bizneset e kanë të garantuar prej qeverisë.
“Jemi për të ngritur një shqetësim në mënyrë të qytetëruar, të argumentuar, pra të provojmë të arrijmë konsensus fillimisht për arsyen e thirrjes së kësaj seance, e ju qytetarë kuptojeni pse është kaq e vështirë konsensusi për gjëra shumë më të rëndësishme se kjo”, tha ai.
Abdixhiku tutje tha se duhet ta pranojmë që jemi në krizë.
“Ekspozimi i vendeve ndaj krizave është tema që po na vjen këtu. Në këto rrethana, kemi dy alternativa para vetes: e para është të presim që thirrja e ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, për hapjen e Ngushticës së Hormuzit të marrë mbështetje nga Ajetullahu i Ri, gjë që nuk pres të ndodhë; e dyta, që pres të ndodhë, është të marrim masa. Në qoftë se këto masa të qeverisë po bëhen, dhe na u tha se janë një sërë masash, përfshirë edhe vendosjen e çmimit tavan, atë që po na vjen si ligj për produktet e tjera, është e vetmja alternativë, t’u them lajmin e keq se nuk po funksionojnë: çmimi i naftës është dy euro sot. Në terma të ministrit të Shëndetësisë, ‘operacioni i suksesshëm, pacienti vdiq’. Mirë keni punuar, por nafta 2 euro. Kjo është kriza jonë”, tha Abdixhiku me ironi.
Sipas kreut të LDK-së, rritja e çmimit të naftës është rritje e secilit produkt të mundshëm në Kosovë dhe një herë që po rritet çmimi është tepër vonë të bëhet diçka për rënien e tij.
“Nuk ka deflacion në Kosovë, historikisht s’ka pas asnjëherë dhe s’do të ketë asnjëherë. Çdo rritje që e kemi tash do të na mbetet për të ardhmen në secilin produkt”, shtoi ai.
Kusari-Lila: Çmimi maksimal i naftës është 1.83 euro, raportoni çdo shkelje
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se çmimi maksimal me të cilin mund të shitet nafta në Kosovë është 1.83 euro, duke u bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast kur ky çmim tejkalohet.
Ajo tha se sipas masave të përcaktuara zyrtarisht, nafta nuk duhet të shitet mbi këtë vlerë dhe se institucionet do të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj operatorëve që shkelin vendimin.
Sipas Kusari-Lilës, informacionet mbi çmimin referues të importit të derivateve përditësohen çdo ditë në kufijtë dhe doganat e Republikës së Kosovës, ndërsa qytetarët mund të ndihmojnë në identifikimin e shkeljeve.
Ajo u shpreh se çdo rast kur çmimi i naftës shkon mbi 1.83 euro duhet të raportohet, ndërsa nëse në ndonjë pikë shitjeje çmimi arrin dy euro, qytetarët duhet të reagojnë menjëherë.
“Ju lus qytetarët që ta paraqesin dhe menjëherë do të ndërmerren masa. Një fotografi e thjeshtë kryen punë për të pasur dënimin apo sanksionin që këta operatorë kanë bërë duke shkelur vendimin e ministrisë”, ka deklaruar ajo.
Në reagimin e saj, Kusari-Lila i është përgjigjur edhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, lidhur me akuzat se ministria mbron kompani të caktuara. Ajo kërkoi që Abdixhiku të mos bëjë spekulime nga foltorja e Kuvendit dhe të përmendë publikisht emrat e kompanive, nëse ka prova.
“Zoti Abdixhiku, nëse vjen me akuzën e rëndë se kompanitë i mbrojmë nga ministria jonë, ju lutem referojuni saktë, me emër e mbiemër, dhe tregoni cilat janë kompanitë prej të cilave ne përfitojmë. Thuajeni publikisht”, tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se akuzat e tilla duhet të bazohen në fakte dhe jo në supozime, duke theksuar se qytetarët meritojnë transparencë dhe përgjegjësi nga të gjithë akterët politikë.

