Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, kujtoi sot 45-vjetorin e Demonstratave Gjithëpopullore të 3 prillit 1981, duke nderuar kontributin dhe sakrificën e djemve e vajzave të Ferizajt për lirinë e Kosovës.
Ai theksoi heroizmin e të rinjve ferizajas që shkundën themelet e robërisë shekullore dhe kontribuan në krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Republikës së Kosovës. Gjithashtu, ai nderoi dëshmorët e qytetit që ranë gjatë demonstratave.
“Kujtojmë sot, 45 vjetorin e Demonstratave Gjithëpopullore ’81, 3 prillin e Pranverës Shqiptare që një nga vatrat më të zjarrta kishte Ferizajn, heroizmin e djemve e vashave ferizajas, që më zë të lartë, sypatrembur e guximtarë të pashoq, shkundën themelet e robërisë shekullore, për të kulmuar me kurorën e lavdisë, emblemën e lirisë – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Kosovën e lirë, Republikën e Kosovës. Ferizaj në Demonstratat ’81 dha dëshmorë Rizah Matoshin, Sherif Frangun e Afrim Abazin, emri e lavdia e së cilëve skalit përpjekjen tonë në këtë përvjetor gati gjysmëshekullor, për lirinë e Republikën. Lavdi Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve për liri!”, shkroi Aliu.

