Një ditë pas shënimit të 18-vjetorit të Dita e Kushtetutës së Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme plenare në deklarimet jashtë rendit të ditës kanë folur për rëndësinë e respektimit të këtij akti themeltar shtetëror.
“Kushtetueshmëria është parim por edhe disiplinë shtetërore. Pa këtë disiplinë çdo tekst mbetet vetëm tekst i pajetueshëm. Kushtetutshmëria duhet të sundojë çdo ditë në çdo cep të vendit tonë”, tha shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci.
Blerta Deliu – Kodra nga PDK tha se krahas urimeve duhet folur edhe për, sipas saj, përgjegjësinë e munguar të respektimit të Kushtetutës. Ajo ngriti çështjen e emërimit të dy anëtarëve të PDK-së në KQZ, duke thënë se presidentja Vjosa Osmani ka shkelur Kushtetutën për këtë rast.
“Kjo s’mund të jetë çështje e interpretimit politik”, tha ajo.
E deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri tha se kuvendi duhet ta kuptojë dhe duhet ta pranojë gjithmonë nga të gjitha grupet politike se Kosova dhe populli i saj nuk kanë bërë kompromis për Kushtetutën, sepse nuk kanë bërë kompromis për asgjë tjetër.
“Republika jonë është kompromisi më i madh i shqiptarëve të Kosovës karshi komuniteteve etnike dhe popujve sllavë që jetojnë në rajon. Ky është kompromisi brenda Kushtetutës së 9 prillit, e cila ka dalë edhe nga Kushtetuta e Kaçanikut. Natyrisht që duhet ta kuptojmë, ta respektojmë dhe ta nderojmë deri në fund këtë frymë dhe këtë akt të lartë, sepse thirrja jonë e gjeneratave të para për republikë dhe për Kushtetutë ka qenë e barasvlefshme dhe sot mbetet e barasvlefshme së bashku me lirinë dhe pavarësinë e saj”, tha ai.
Ai në emër të LDK-së kërkoi që kryeministri Albin Kurti, siç u shpreh, t’i nënshtrohet frymës kushtetuese dhe t’i njoftojë deputetët e Kuvendit për marrëveshjen me Soren Petersenin, ndërmjetësin e Bashkimit Evropian, lidhur me qëllimin e kësaj marrëveshjeje dhe implementimin e saj në fushën e arsimit dhe shëndetësisë për komunitetin serb.
“Me çfarë ka të bëjë, cila është baza, sepse ka mjegull dhe paqartësi tek qytetarët e Republikës së Kosovës. Në çfarëdo seance, në çfarëdo formati që kryeministri është i gatshëm, duhet t’i nënshtrohet Kuvendit dhe deputetët duhet të njoftohen me detajet e kësaj marrëveshjeje. A është duke e implementuar marrëveshjen Kurti–Vuçiq apo është duke implementuar diçka tjetër që duhet ta shpjegojë”, tha Haziri.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri në deklarimin jashtë rendit të ditës ka thënë se kanë mbetur vetëm edhe 17 ditë që Kuvendi të zgjedhë presidentin e ri dhe partia në pushtet nuk ka bërë asnjë lëvizje në drejtim të zgjidhjes së kësaj çështje.
“Kjo qeveri e ka bllokuar Kosovën prej krizave të njëpasnjëshme. A ka logjikë të funksionojë një qeveri që dy muaj pa një program politik, pa një program qeverisës, pa një diskutim për politikat qeverisëse publike, të cilat qytetari i Kosovës dëshiron t’i dëgjojë, e ne si përfaqësues të tyre duam të debatojmë me këtë kabinet. A ka logjikë që 17 ditë i kanë mbetur këtij kuvendi për të arritur deri te marrëveshja e presidentit dhe vazhdon në masë të madhe një performancë publike për një konsum politik pa arritur asnjë zgjedhje”, tha ai.
Tahiri i ka bërë thirrje qeverisë që urgjentisht të sjellë para kuvendit programin e saj politik.
Rezoluta për të vërtetën historike të luftës së Kosovës do të diskutohet e para në Kuvend
(E përditësuar, 12:00) Me 86 vota pro, deputetët e zhvendosen shqyrtimin e Propozim-Rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999”, si pikë e parë e rendit të ditës.
Gjithashtu deputetët u dakorduan me kërkesën e LDK-së që votimi i Propozim-Rezolutës për rritjen e çmimeve të naftës nga pika e nëntë të zhvendoset në pikën e gjashtë të rendit të ditës.
(11:40) PDK kërkon që rezoluta për mbrojtjen e luftës të shqyrtohet e para
Shefat e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në një konsultim pesë minutësh për të diskutuar ndryshimin e rendit të ditës së kërkuar nga PDK.
Ky subjekt politik kërkoi zhvendosjen e shqyrtimit të “Propozim-Rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999”, si pikë e parë e rendit të ditës.
“Për aq sa kuptova është arritur dakordim për tekstin e rezolutës nga të gjitha grupet parlamentare. Ne insistojmë që kjo pikë të trajtohet si pika e parë e rendit të ditës. Nuk besoj që ky Kuvend ka diçka më me rëndësi për të trajtuar sesa kjo pikë, për më tepër se kjo flet shumë për kulturën politike që është duke mbizotëruar në Kosovë tash e disa vjet. Nuk është turp e as dobësi që shumica parlamentare të pranojë një kërkesë të opozitës”, tha nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku.
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci tha se ata kanë mbështetur rezolutën dhe kanë ofruar që t’i dërgojnë deputetët e këtij subjekti politik për të dhënë kontribut në këtë propozim.
“Dy deputetët tanë, Ardian Gola dhe Adnan Rrustemi klanë punuar dje deri mbrëmë vonë. E kemi marrë draftin nga PDK të mërkurën. Kanë pasur takime sot, besoj se janë në prag të dakordimit të përmbajtjes së rezolutës. Unë ju kisha lutur ta lëmë sipas rendit të ditës, sapo të kemi dakordimin final, e miratojmë”, tha ajo.
Jehona Lushaku – Sadriu nga LDK tha se mos të shihen si “makineri votimi për ligjet që sjelljen pa respektuar procedurat e rregullta”.
“S’ka asnjë arsyeshmëri që të evitohen procedurat duke na sjellë para akteve të kryera dhe duke na sjellë drama për çdo seancë”, tha ajo.
Besnik Tahiri i AAK-së tha se nuk është me peshë dhe as nuk kërkon sakrificë të vendoset si pikë e parë diskutimi për një rezolutë që qenka arritur dakordanca për përmbajtjen.
(11:28) Opozita nuk e miraton ndryshimin e rendit të ditës
Kuvendi i Kosovës dështojë që t’i fus në rend dite tetë projektligje, të cilat qenë të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ndërlidheshin me çmimet tavan, lojërat mesdhetare, banimin social, sigurimin shëndetësor.
(11:19) Projektligjet në Kuvend shkaktojnë debat ndërmjet deputetëve
Votimi i projektligjeve në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ka shkaktuar debat ndërmjet deputetëve, ku subjektet politike opozitare u deklaruan se nuk do të përkrahin miratimin e tyre me arsyetimin se nuk kanë urgjencë.
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci gjatë prezantimit të projektligjeve, tha se dy prej tyre janë të rëndësisë primare sepse mundësojnë anëtarësimin në SEPA – Single Euro Payments Area.
Në replikë ndaj përfaqësuesve të partive opozitare të cilët thanë se Kuvendi duhet të ketë prioritete të tjera, kryetarja e këtij institucioni, Albulena Haxhiu tha se afati kushtetues përcakton që zgjedhja e presidentit duhet të bëhet deri më 27 prill dhe deri atëherë duhet të përfundojnë punët.
“Detyrohemi që çështjet që janë në interes të qytetarëve t’i adresojmë si Kuvend i Kosovës”, tha Haxhiu.
Arian Tahiri nga PDK ka deklaruar se asnjë nga pikat e rendit të ditës të cilat kërkojnë miratimin e deputetëve, nuk janë urgjente dhe ky subjekt politik nuk i mbështet si të tilla.
“Kjo është një tendencë dhe qasje e qeverisë të ndërtojë agjendë të fushatës zgjedhore e jo të trajtojë me seriozitet tema të cilat janë kaq të rëndësishme, për të cilat edhe duhet kohë edhe trajtim profesional”, tha Tahiri.
Jehona Lushaku – Sadriu nga LDK tha se këto projektligje kanë kaluar këtë javë nëpër komisione dhe po kërkohet që në mënyrë të përshpejtuar të votohen në Kuvend.
“Të gjitha temat që trajtojnë këto projektligje janë tepër të rëndësishme. Por jo në periudhën që po shqyrtohen sepse projektligjet kërkohen të analizohen dhe janë më pak se një javë që janë shpërndarë te të gjithë deputetët. Kjo urgjencë është e pa arsyeshme dhe nuk do të përkrahet nga ne”, tha ajo.
Besnik Tahiri nga AAK kritikoi vonesën prej një ore të nisjes së seancës.
“Të fillohet seanca me një orë vonesë nuk ka logjikë. Mos të ndodh kjo. Sa i përket çështjes së shmangies së procedurës, pyetja që duhet t’ju shtroj është pse mbajmë ne kryesi pse duhet se sa herë vijmë në sallë me hy diçka, me ndodh diçka. Kërkoj që kjo mos të kthehet në praktikë kërkesa jem është që të tërhiqen këto dhe të flasim siç jemi dakorduar për pikat”, tha ai, duke kritikuar ndryshimin e rendit të ditës.
Nis seanca e Kuvendit |LIVE
Naser Mekolli / RTKlive
Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën plenare, në rendin e ditës janë paraparë disa pika për shqyrtim dhe vendimmarrje nga deputetët.
Fillimisht u bë miratimi i rendit të ditës dhe i procesverbalit nga seanca e mëparshme, ndërsa më pas do të ketë deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.
Seanca nisi me një orë vonesë.

