Në fshatrat Sllatinë dhe Doganaj të Kaçanikut është përkujtuar sakrifica e 2 dëshmorëve dhe 13 martirëve të rënë gjatë luftës, 27 vjet më parë. Në manifestimin përkujtimor u tha se kjo zonë mbetet një nga vendet që ka përjetuar dhimbje të madhe gjatë luftës në Kosovë.
Kosovar Xhokli, vëllai i dëshmorit Ramadan Xhokli, ka rrëfyer momentin kur ka marrë lajmin për vrasjen e vëllait të tij.
“Lajmi që e morëm për vëllain ishte kur, dikur vonë pasdite, filloi të vinte informacioni. Unë si i ri isha në mesin e familjes dhe kuptova se diçka kishte ndodhur. Nuk të shkonte mendja se gjithçka kishte përfunduar me vdekje, gjithmonë kishte shpresa se mund të ishte plagosur apo të ishte gjallë. Por fakti ishte se ai kishte rënë dëshmor. Duke qenë ushtar, ishte një ndjenjë e përzier, një miks mes krenarisë dhe dhimbjes, dhe si i ri nuk mund ta përshkruaja atë ndjenjë, as sot nuk mundem. Por mbi të gjitha, si familje jemi shumë të bindur dhe vërtet jemi krenarë, sepse po të mos ishin ata, ne sot nuk do të ishim këtu,” tha ai.
Edhe Agon Elezi, djali i martirit dr. Vesel Elezi, ka kujtuar momentin e humbjes së babait të tij.
“Pasdite ne kemi marrë vesh për humbjen e babit. Unë kam qenë 5 vjet edhe kam qenë shumë i vogël me kuptua rëndësinë edhe përjetimin si ka ndodhur dhe çka do të më presë mua në të ardhmen. Por koha mungesa edhe ndjenjat që kemi pas për të na ka ndihmuar të zhvillohemi sot,” tha ai.
Në këtë manifestim përkujtimor, zyrtarë lokalë dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta theksuan se sakrifica e të rënëve mbetet themel i lirisë së Kosovës dhe se amaneti i tyre duhet të vazhdojë.
“Ky është një kujtim i gjallë i sakrificës, dhimbjes dhe qëndresës së popullit tonë,” u shpreh Selajdin Troni, kryesues i Kuvendit Komunal të Kaçanikut.
Ndërsa përfaqësuesi i OVL-UÇK-së në Kaçanik, Fahri Demnika, tha se respekti për dëshmorët mbetet zotim për mbrojtjen e vlerave për të cilat ata ranë.
Në fund të aktivitetit u mbajt program artistik dhe u vendosën kurora lulesh në nderim të të rënëve.

