Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, ka arrestuar sot në fshatin Soqanicë të Leposaviq një të dyshuar mashkull, shtetas i Kosovës i nacionalitetit serb, nën dyshimin për kryerje të veprës penale “Krime Lufte Kundër Popullatës Civile”.
Sipas njoftimit, i dyshuari, gjatë hetimeve të zhvilluara, dyshohet se në cilësinë e pjesëtarit të Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP), gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ishte i sistemuar në Stacionin Policor në Skenderaj.
Ai dyshohet se në mars të vitit 1999, i uniformuar dhe i armatosur, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të organizuar në grup, ka marrë pjesë në operacione policore-ushtarake, gjatë të cilave janë dëbuar me dhunë civilë shqiptarë nga pronat e tyre, si dhe janë raportuar raste të rrahjeve, torturës, plagosjeve dhe vrasjes së 15 civilëve, si dhe zhdukjes së 16 civilëve të tjerë në dy lokacione në Skenderaj.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit, ndërsa me vendim të prokurorit të rastit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

