
Norvegjia ka fituar medaljen e artë në garën “team sprint” të kombinimit nordik në Lojërat Olimpike “Milano Cortina 2026”.
Ekipi norvegjez, i përbërë nga Andreas Skoglund dhe Jens Luraas Oftebro, ka triumfuar pas një përfundimi dramatik.
Gara është zhvilluar në kushte të vështira atmosferike, me reshje të dendura bore që e kanë bërë pistën shumë të rrëshqitshme dhe të rrezikshme.
Në metrat e fundit, Jens Luraas Oftebro, ka arritur të kalojë në finish finlandezin Eero Hirvonen, duke e lënë Finlandën në vendin e dytë me një diferencë minimale.
Austria e ka siguruar medaljen e bronztë, ndërsa Gjermania ka mbetur pa podium pas një incidenti në fund të garës.
Për Oftebro kjo ka qenë medalja e tretë e artë në këto Lojëra, një arritje maksimale personale. “Është ëndërr të fitosh ar individual dhe ar me ekipin. Por të marrësh tre medalje ari është më shumë se sa kam ëndërruar ndonjëherë”, ka deklaruar ai pas garës.
