Thursday, April 16, 2026
HomeEkonomiHoti: Puna e kujdesit ende e nënvlerësuar në Kosovë

Hoti: Puna e kujdesit ende e nënvlerësuar në Kosovë

Në kuadër të nismës “Transformimi i Sistemeve të Kujdesit për Njerëzit dhe Planetin në Evropë dhe Azi Qendrore”, është mbajtur Forumi “Ekonomia e Kujdesit”.

Andin Hoti, Ministër i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës së UÇK-së, theksoi se puna e kujdesit, qoftë ajo e paguar apo e papaguar, është shtylla e padukshme mbi të cilën qëndron funksionimi i familjes dhe i ekonomisë në përgjithësi.

“Megjithatë, pavarësisht rolit të saj thelbësor, kjo punë vazhdon të mbetet e nënvlerësuar dhe shpesh e padukshme në politikat dhe statistikat ekonomike”, tha ai.

Sipas tij, në Kosovë, ashtu si në shumicën e vendeve, barra kryesore e punës së kujdesit bie mbi gratë. Kjo pabarazi gjinore kufizon mundësitë e tyre për arsimim, punësim dhe avancim profesional, duke ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien ekonomike të tyre dhe të familjeve që ato mbështesin.

“Si pasojë, shumë gra përballen me punësim të pjesshëm ose informal dhe të ardhura më të ulëta”, tha ai.

Hoti shtoi se gjatë dy dekadave të fundit, Kosova ka bërë përparim të dukshëm në zhvillimin e politikave sociale dhe në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, megjithatë sfidat mbeten.

Ai theksoi se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për ndërtimin e një kornize ligjore dhe politike që mbështet zhvillimin e ekonomisë së kujdesit dhe ekonomisë sociale.

Ndër iniciativat kryesore, ai veçoi miratimin e Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, kompletimin e kornizës sekondare të legjislacionit për ndërmarrjet sociale, si dhe aprovimin e ligjit të ri për shërbimet sociale dhe familjare.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments