Thursday, April 16, 2026
HomeEkonomiAUV ndalon importin e deleve dhe dhive nga Shqipëria

AUV ndalon importin e deleve dhe dhive nga Shqipëria

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë, ka vendosur ndalimin e importit të deleve dhe dhive nga Shqipëria, pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes së murtajës së bagëtive të imta (PPR – Peste des Petits Ruminants) në Qarkun e Dibrës.

Sipas njoftimit zyrtar, masa e ndalimit është e pakohshme dhe përfshin gjithë territorin e Shqipërisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjes në Kosovë. Autoritetet kanë kërkuar nga komunat kufitare që të vendosin masa të rrepta për kontrollin e lëvizjes së bagëtive në zonat e brezit kufitar.

Po ashtu, fermerët janë thirrur të mbajnë nën mbikëqyrje tufat e tyre, të shmangin kontaktet me kafshë të tjera dhe të raportojnë menjëherë tek shërbimet veterinare çdo shenjë të dyshimtë të sëmundjes, përfshirë temperaturë të lartë, rrjedhje nga hundët, dobësi dhe diarre.

AUV ka bërë të ditur se autoritetet kufitare do të forcojnë kontrollet në të gjitha pikat kufitare dhe zonat kufitare me Shqipërinë, ndërsa u është bërë thirrje fermerëve të respektojnë udhëzimet për biosiguri dhe të shmangin blerjen e kafshëve pa status të verifikuar shëndetësor.

Sipas njoftimit, PPR është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë, por nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments