Sunday, April 19, 2026
HomeLajmeKosovëKonjufca: Aty ku ka kërcënim të sigurisë, asgjë nuk ecën përpara

Konjufca: Aty ku ka kërcënim të sigurisë, asgjë nuk ecën përpara

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca ka marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar në Forumi Diplomatik i Antalias se siguria mbetet kushti themelor për zhvillim dhe stabilitet, duke theksuar se “aty ku ka kërcënim të sigurisë, asgjë nuk ecën përpara”.

Gjatë diskutimit për paqen në Ballkanin Perëndimor, Konjufca nënvizoi se bashkëpunimi rajonal duhet të mbështetet në dy parime kryesore: ndërtimin e partneriteteve të forta dhe shmangien e përshkallëzimit të mosmarrëveshjeve në konflikte apo armiqësi.

Ai theksoi se Kosova ka treguar gatishmëri për bashkëpunim me vendet fqinje, duke përmendur raportet e mira me Shqipërinë Maqedoninë e veriut dhe Malin e Zi, ndërsa i cilësoi më sfiduese marrëdhëniet me Bosnen dhe Hercegovinën dhe veçanërisht me Serbinë.

Duke folur për rëndësinë e sigurisë, ai theksoi se çdo zhvillim ekonomik apo infrastrukturor mbetet peng nëse siguria rrezikohet.

Në këtë kontekst, përmendi edhe ndikimin e luftës në Ukrainë pas agresionit rus të vitit 2022, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të shkatërruar një shtet, një popull dhe vlerat evropiane që, sipas tij, po mbrohen në Ukrainë.

“Kosova ka përjetuar gjenocid në 1999 dhe nuk mendoj se ndonjë shtet tjetër do paqe dhe stabilitet më shumë se vendi im”, tha Konjufca.

Ai shtoi se, megjithëse Kosova ka ratifikuar marrëveshjen për heqjen e vizave me Bosnjë e Hercegovinën, zbatimi ende nuk ka avancuar për shkak të bllokadave të brendshme.

“Duke u nisur nga Kosova, mund të arrish më shpejt në Stamboll sesa në Sarajevë, edhe pse distanca është dyfish më e madhe”, tha ai, duke e përdorur këtë si shembull të mungesës së ndërlidhjes në rajon.

Sipas tij, vizioni i Kosovës është një Ballkan Perëndimor me bashkëpunim të lirë dhe të ndershëm ndërmjet shteteve, me heqje të barrierave dhe funksionim më efikas rajonal.

Kurse, përmes një postimi në Facebook, ai tha se në këtë takim u ritheksua përkushtimi i Turqisë për të qëndruar afër rajonit dhe për të vazhduar mbështetjen ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Gjatë takimit, u ritheksua përkushtimi i Turqisë për të qëndruar afër rajonit tonë dhe për të vazhduar mbështetjen ndaj Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur bashkëpunimi dhe koordinimi rajonal janë më të rëndësishëm se kurrë. Diskutuam gjithashtu për zhvillimet e fundit dhe ndryshimet gjeopolitike, si dhe për ndikimin që ato kanë në rajonin tonë dhe më gjerë”, ka shkruar Konjufca.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments