Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Maltë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve kulturore ndërmjet dy vendeve.
Gjatë kësaj vizite, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së arritur më herët, u realizuan takime me përfaqësues të institucioneve kyçe në fushën e kulturës dhe trashëgimisë në Maltë, përfshirë Ministrinë e Kulturës, Agjencinë e Kulturës, Heritage Malta dhe Komitetin Kombëtar për Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s.
Bogujevci thekson se në fokus të diskutimeve ishte zhvillimi i sektorit të kulturës, si dhe menaxhimi, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore.
Palët ndanë përvoja dhe praktika të mira, me synim avancimin e politikave që kontribuojnë në zhvillim të qëndrueshëm dhe në mirëqenien e komunitetit.
Kjo vizitë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të përvojave për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kulturore të Kosovës dhe Maltës.

