Në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Shqipes 2026”, është mbajtur Akademia Përkujtimore me rastin e Ditës së Veteranëve të Betejës së Koshares dhe përvjetorit të rënies së heroit të Kosovës, Sali Çekaj, nën patronatin e ushtrueses së detyrës së Presidentes, njëherësh kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Me këtë rast, Haxhiu ka përkujtuar jetën dhe veprën e Sali Çekajt, duke e vlerësuar atë si një nga figurat kyçe të përpjekjes për liri.
“Historia jep kuptim kohës, por drejtimin e saj e përcaktojnë njerëzit. Ata që në çaste të vështira nuk presin rrethanat të ndryshojnë, por marrin mbi vete barrën për t’i ndryshuar ato. Në mesin e tyre qëndron edhe heroi Sali Çekaj”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se jeta e Çekajt ishte e pandashme nga rrjedha e historisë së Kosovës. I lindur në Broliq dhe i formuar si jurist e gjyqtar, ai zgjodhi rrugën e rezistencës dhe sakrificës për liri, duke u angazhuar herët në organizimin e rezistencës së armatosur.
Sipas Haxhiut, që nga viti 1991, Sali Çekaj, së bashku me komandantin legjendar Adem Jashari dhe Zahir Pajazitin, kontribuoi në përgatitjet e para ushtarake, organizimin e strukturave dhe sigurimin e mjeteve për luftën çlirimtare.
Duke u ndalur te Beteja e Koshares, ajo theksoi se kjo ishte një nga momentet më të rëndësishme të luftës, ku u shemb kufiri shqiptaro-shqiptar.
“Më 9 prill 1999 filloi beteja në kushte të pabarabarta, por Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte atë që mungonte te armiku, idealin dhe vendosmërinë për të mos u zmbrapsur”, tha Haxhiu.
Ajo kujtoi se pikërisht në këtë betejë, më 19 prill 1999, ra heroikisht Sali Çekaj, duke mbetur simbol i sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut.
“Heroi ynë besoi se kufijtë që ndajnë një popull nuk janë të përjetshëm. Ai la pas shembullin e një njeriu që kalon nga bindja në veprim, nga fjala në organizim dhe nga ideja në strategji”, theksoi ajo.

