Monday, April 20, 2026
HomeLajmeKosovëNPB drejt kolapsit finanaciar 

NPB drejt kolapsit finanaciar 

 Ndërmarrja Publike Banesore detyrohet të paguajë mbi 32 milionë euro ndaj një konsorciumi të tri kompanive private. Kjo pagesë, me urdhër të Gjykatës Komerciale, është caktuar si kompensim për “fitimin e humbur” lidhur me një projekt afaristo-banesor në lagjen “Lakërishtë” në Prishtinë.

Ka vite që ky projekt ishte në shënjestër të akuzave, që implikonin Komunën e Prishtinës me pazare të 17 mijë metrave pronë komunale. Për anulimin e kontratës e kërkesë për masa sigurie, u ngrit edhe një padi, përmes së cilës akuzohej ndërmarrja për keqpërdorime në projektin me vlerë mbi 120 milionë euro. Këto kërkesa dhe paralajmërime për kolaps financiar të ndërmarrjes u tejkaluan në heshtje përgjatë viteve, ndërkohë që një përgjigje për këtë çështje Komuna nuk ka dhënë as pas vendimit të shkallës së dytë të Komerciales.

Gjykata Komerciale, përmes një aktgjykimi për Ndërmarrjen Publike Banesore, e urdhëron atë që t’u paguajë tri kompanive private shumën prej 32 milionë e 571 mijë euro si fitim i humbur nga kontrata që kompanitë kishin nënshkruar për të ndërtuar një objekt afaristo-banesor në lagjen “Lakërishtë” të Prishtinës.

Për vendimin e shkallës së parë të Komerciales, në favor të ndërtimit të objektit, pati reagime të ashpra që nxorën në pah keqpërdorime serioze në projektin mbi 120 milionë eurosh. Madje u kërkuan edhe hetime ndaj kontratës dhe paralajmërime për kolaps financiar të ndërmarrjes.

“Komuna ka qenë plotësisht në dijeni që prej vitit 2018 në kohën e Shpend Ahmetit dhe e njëjta ka vazhduar edhe në qeverisjen e Ramës. Kanë qenë plotësisht në dijeni, por nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete”, tha Egzon Azemi.

Projekti nuk u realizua asnjëherë dhe shkëputja e kontratave ka kosto për Ndërmarrjen Publike Banesore. Ekspertë të ekonomisë këtë e shohin si penalizim të institucioneve publike për shkak të joprofesionalizmit dhe politizimit të bordeve.

“Kemi rastin më të ri që ka ndodhur me NPB, është rasti më emblemë që duhet vërtet edhe komunat edhe institucionet të bëjnë më tepër që, nëse dëshirojnë të krijojnë institucione publike, ato të jenë në funksion të qytetarëve dhe të jenë promotor i mirëfilltë i partneritetit publiko-privat”, theksoi Safet Gërxhaliu.

“Fatkeqësisht sot ky është realiteti, 40 milionë euro e dëmtojnë buxhetin e shtetit, komunës dhe ndërmarrjes publike e cila lirisht mund të them se tashmë është para falimentimit”, pohoi Azemi.

“Jo të ndodhë kjo siç ka ndodhur, që nëse nuk fiton dikush i afërt me politikën do të jetë i penalizuar për të ndërprerë aktivitetet e veta dhe të përfundojë në gjykata dhe arbitrazhe dhe në fund të fundit humbës është shteti”, shtoi Gërxhaliu.

Pavarësisht përpjekjeve për ditë të tëra, Komuna e Prishtinës nuk ka pranuar të deklarohet për këtë çështje. Kompanitë private, sipas kontratës së vitit 2021, do të ndërtonin pesë kulla në një nga zonat më të kërkuara të Prishtinës, nga të cilat 36 për qind e hapësirës do t’i takonin Ndërmarrjes Publike Banesore, kurse 64 për qind kompanive private. Për këtë projekt, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj tetë ish-zyrtarëve të lartë të NPB-së, por Gjykata e ka rrëzuar atë në mungesë të provave.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments