Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, duke kujtuar se aplikimi për anëtarësim është dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 dhe ende nuk është shqyrtuar nga Këshilli i BE-së.
Në një postim në Facebook, Kurti ka theksuar se Kosova është “demokracia më e avancuar e rajonit” dhe e rreshtuar plotësisht me politikat e Bashkimit Evropian, duke shtuar se anëtarësimi në BE mbetet prioritet strategjik i vendit.
Ai ka bërë të ditur se është themeluar Komiteti Ekzekutiv për anëtarësim në BE, me qëllim të dinamizimit të procesit dhe koordinimit ndërinstitucional, ndërsa kryenegociatori është autorizuar të krijojë një Task Forcë për avancimin e statusit të Kosovës si vend kandidat.
“Sot, me qëllim të dinamizmit të procesit dhe për të siguruar koordinim ndërinstitucional në këtë çështje prioritare, kemi themeluar Komitetin Ekzekutiv për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryenegociatorin me Bashkimin Evropian e autorizuam që të krijojë Task Forcë specifike, duke filluar sot me Task Forcën për Statusin e Vendit Kandidat”, ka shkruar Kurti.
“BE-ja duhet të zgjerohet duke u reformuar njëkohësisht… Kosova është gati të kontribuojë”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se procesi i zgjerimit sjell reforma, demokraci dhe zhvillim ekonomik.

