Monday, April 20, 2026
HomeLajmeKosovëInspektorati konfiskon produkte jashtë standardeve, përfshirë edhe lodra

Inspektorati konfiskon produkte jashtë standardeve, përfshirë edhe lodra

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka bërë të ditur se kanë konfiskuar produkte të pasigurta për përdorim, që sipas tyre paraqesin rrezik potencial për shëndetin, e numri më i madh i tyre janë lodra fëmijësh.

Sipas njoftimit nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë e Inovacionit  kjo u bë me qëllim garantimin e sigurisë së produkteve që qarkullojnë në treg dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

“Fokusi i kësaj mbikëqyrjeje të shtuar ka qenë veçanërisht tek produktet e makinerisë, pajisjet personale mbrojtëse, lodrat për fëmijë, si dhe produkte të tjera të cilat, për nga natyra e përdorimit, paraqesin rrezik potencial për shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se produktet janë sekuestruar në përputhje me legjislacionin në fuqi, për shkak të mos prezantimit të dokumentacionit teknik përkatës dhe tejkalimit të skadimit të afatit.

“Produktet e sekuestruara janë si në vijim: Makinë shpimi (trapan) – 13 copë, gërryese këndore – 5 copë, disqe për prerjen e hekurit dhe betonit – 426 copë, jelek sinjalizues – 251 copë, helmeta (kapela pune) – 114 copë, maska saldimi – 176 copë, ngjyra dhe llaqe – 11 copë, lodra për fëmijë – 931 copë”, ka njoftuar ministria.

IQMT thotë se mbetet e përkushtuar në garantimin e një tregu të sigurt dhe në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, derisa u kanë bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë standardet dhe kërkesat ligjore për sigurinë e produkteve.

Ata kanë ftuar qytetarët që të raportojnë çdo rast të dyshuar për produkte të pasigurta.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram