Deputetët e Kosovës i kanë thënë po me 94 vota, plotësimit të rendit të ditës së seancës së sotme plenare edhe me pikën ku do të shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes që erdhi si propozim nga Lëvizja Vetëvendosje. Por ndryshe nga kjo pikë që mori përkrahje, propozimet tjera nuk morën përkrahjen opozitarëve në Kuvend.
“Si pikë e gjashtë të radhitet votimi i Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, si pikë e shtatë Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Si pikë e tetë të radhitet votimi i Projektligjit për Energjinë, si pikë e nëntë ai për Energjinë Elektrike, ndërsa zgjedhja e anëtarëve të KGJK-së të zhvendoset si pikë e dhjetë”, ishte propozimi i shefes së deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavci, por që u kundërshtua menjëherë nga opozitarët, përveç pikës së parë.
Përparim Gruda nga PDK-ja tha së përkrahin pikën për anëtarësimin në Bordin e Paqes, por jo edhe të tjerat.
“Ne jemi që marrëveshjen për Bordin e Paqes, ndërkaq nuk jemi për pikave tjera. E dyta ishte Byroja. Nuk ka kaluar ende në komision në lexim të dytë, nuk është në rregull ta fusim këtu për votim me procedurë të përshpejtuar pa kaluar në lexim të dytë, edh p ër pikat tjera jemi kundër, përveç marrëveshjes për Bordin e Paqes”, tha ai.
Edhe LDK ishte veç për pikën që kishte të bënte me Bordin e Paqes.
“Ne si LDK përkrahim futjen e pikës që ka të bëjë me marrëveshjen ndërkombëtare për Bordin e Paqes, ndërkohë nuk përkrahim hyrjen e ligjeve të tjera, posaçërisht këtyre që nuk kanë kaluar në komisione dhe në bazë të procedurës që parashihen për të njëjtit. Ndërkohë nuk shohim absolutisht urgjencë që ligjet si këto të energjisë të futen në këtë seancë, sepse nuk ka asnjë emergjencë. Vërtetë jemi të shqetësuar me këtë anashkalimin procedural që po bëhet për projektligje të veçanta”, tha ajo.
Edhe AAK kishte të njëjtin qëndrim.
“Pajtohemi veç për pikën e parë për Bordin e Paqes , të tjerat jemi deklaruar edhe më herët se nuk po shohim ndonjë urgjencë të kalojnë me procedura të përshpejtuara pa kaluar as në komisione parlamentare e të kërkohet të futen në rend dite pa u kryer procedurat administrative sipas Rregullores së Kuvendit”, tha ajo.
Sërish fjalën e mori Nagavci që tha se dëshiron t’iu sqarojë deputetëve se pse duhet të shqyrtohen të gjitha këto projektligje.
“Sa i përket Projektligjit për Byronë, me sa jam njoftuar dëgjimi publik për këtë projektligj është finalizuar tashmë, ndërkohë që urgjenca për këtë është duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ndodhemi si Kuvend dhe meqenëse tashmë ka kaluar në lexim të parë. Është trajtuar njëherë në komision, është mbajtur dëgjimi publik, me vullnetin e deputetëve do të mund të trajtohej në komision e pastaj të shqyrtohet në lexim të dytë. Sa i përket dy projektligjeve për Energjinë , tashmë si Kuvend kemi pranuar edhe një shkresë nga Sekretariati i Komitetit të Energjisë, ndërkohë që këto të dy këto projektligje janë pjesë e Planit të Rritjes dhe bëhet fjalë për diku 9 milionë euro investime që do të kontribuonin në përmirësimin e sektorit të energjisë elektrike”, tha ajo.

