Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, vlerësoi rolin e ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një zë të fuqishëm të lirisë së Kosovës në momentet më të vështira historike.
Ajo tha se Engel ishte një mbështetës i palëkundur i Kosovës, i cili në kohën e represionit ngriti zërin në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së vendit.
“Në vitet më vendimtare të fatit të popullit tonë, kongresmeni Engel ishte një mbështetës i palëkundur dhe një zë i vendosur në mbrojtje të së drejtës së Kosovës për liri dhe demokraci. Kur e vërteta për vendin tonë kishte nevojë të dëgjohej, ai ishte ndër ata që e ngritën me guxim në zemër të politikës amerikane”, tha Lushaku-Sadriu.
Ajo shtoi se për Engelin, çështja e Kosovës ishte një kauzë morale dhe njerëzore, duke theksuar se ai kërkonte vazhdimisht drejtësi dhe ndërhyrje për ndaljen e dhunës ndaj popullit shqiptar.

